Arrat e Vendit – Shumë të Kërkuarat e Pemishteve Shqiptare

1.3k 0

Kur shihni arra në treg asnjëherë nuk e dini me siguri sa të mira do të jenë brenda.

Por nëse siguroheni që janë prodhim vendas, atëherë kjo përbën një garanci pasi arrat shqiptare asnjë nuk i lë të pashitura, por fluturojnë në tregjet vendase dhe të huaja

Shqipëria duke qenë se ndodhet në zonën e vendorigjinës së arrës, e kultivon prej shumë kohësh.

Rrethet me numrin më të madh të rrënjëve (mbi 10 000 rrënjë ), janë Tropoja, Dibra, Librazhdi, Puka, Korça, Pogradeci, ndërsa rrethe të tjera me 5000 deri 10 000 rrënjë janë Bulqiza, Elbasani, Kolonja, Mirdita, Tirana, Vlora dhe Përmeti.

Kultivuesit e kontaktuar nga AgroWeb tregojnë se si pasojë e kushteve klimaterike, prodhimi i freskët i arrave të këtij sezoni ishte i një cilësie mjaft të lartë dhe tuli i arrave është edhe më i pasur në bollëk krahasuar me prodhimet e sezoneve të kaluara.

Ndaj dhe në treg gjen një varietet kaq të madh të arrës, të cilin në  fusim në çdo ushqim, pasi këto super frute që cëmbisen kaq kollaj janë nga më të shëndetshmit.

Vlerat shëndetësore

Të pasur me yndyrna të shëndetshme për zemrën, vitamina e minerale që ndihmojnë në parandalimin e sëmundjeve kardiovaskolare si dhe në luftën kundër inflamacioneve.

Një sërë studimesh kanë treguar se sa më shumë arrorë të konsumojnë njerëzit, aq më pak të predispozuar janë për të humbur jetën, në çfarëdolloj moshe, veçanërisht ndaj sëmundjeve të zemrës.

Njerëzit, të cilët konsumojnë rregullisht fruta të thata arrore kanë më pak rrezikshmëri ndaj të gjitha rasteve të përfshira në studim – rreth 23% të rriskut, krahasuar kjo me njerëzit të cilët nuk i konsumojnë.

Arrat janë një ushqim perfekt për t’u konsumuar në mëngjes dhe një alternativë e mirë ndaj ushqimeve të konservuara. Por që mbi të gjitha na bëjnë mirë për shëndetin. Pse dhe si AgroWeb po i shpjegon më poshtë.

Japin Energji

Frutat arrore janë të pasura me energji dhe vlera ushqyese.

Ato janë një burim i shkëlqyer i acideve yndyrore, të cilat ndihmojnë për të ulur nivelin e kolesterolit.

Studimet tregojnë se dietat mesdhetare të cilat janë të pasura edhe me produktet arrore (arra, lajthi, bajame) parandalojnë sëmundjet koronare arteriale, duke favorizuar profile të shëndetshme të lipideve të gjakut.

Na e bëjnë zemrën të fortë

Ato janë burim i pasur i acideve yndyrore omega-3, tejet të rëndësishme për një jetë të shëndetshme.

Studimet kanë sugjeruar se këto yndyrna shërbejnë dhe si anti-inflamatorë, duke ndihmuar në këtë mënyrë për të ulur rrezikun e presionit të gjakut, sëmundjeve arteriale koronare, hemoragjisë cerebrale,

Acidet yndyrore Omega-3 gjithashtu ndihmojnë në rastet e sëmundjeve të reumatizmës, si dhe në rastet e skizofrenisë, depresionit dhe sëmundjes së Alzheimer.

Mbrojnë sistemin nervor dhe jo vetëm

Frutat arrore kanë flavonoide si karotenë, lutein, etj, komponentë këto që ofrojnë mbrojtje kundër kancerit, sëmundjeve të zemrës, sëmundjeve nervore, sëmundjes së Alzheimer, dhe atyre virale/infeksioneve fungale.

Studimet tregojnë se tek arrorët, përbërës si resveratrol zvogëlojnë rrezikun e goditjeve nga alterimi i mekanizmave molekulare në enët e gjakut.

Ato ulin ndjeshmërinë ndaj dëmtimit të enëve të gjakut duke zvogëluar aktivitetin e angiotensin (një hormon sistemik që shkakton ngushtim e enëve të gjakut, duke ngritur presionin e gjakut) dhe rritjen e prodhimit të hormonit vasodilator, oksidi nitrik.

Kocka dhe trup më i fortë

Vlerat ushqyese të frutave arrore janë të plota, pasi përveç kalorive dhe vitaminave, ato janë dhe një burim i pasur me minerale si manganezi, kaliumi, kalciumi, hekuri, magnezi, zinku, fluori dhe selenium.

Kaliumi është një faktor i rëndësishëm i qelizave dhe lëngjeve të trupit, që ndihmojnë në kontrollimin e rrahjeve të zemrës dhe të presionit të gjakut. Fluori nga ana tjetër është një përbërës thelbësor në shëndetin e dhëmbëve tanë.

Lëkurë më e shëndetshme

Dhe mbi të gjitha frutat arrore janë shumë të pasura me vitaminë-E, një antioksidant shumë i fuqishëm. Vitamina E, është e nevojshme për të ruajtur integritetin e membranës së qelizave, të membranës së mukusit dhe të lëkurës, duke e mbrojtur nga radikalet e lira.

AgroWeb ju uron një sezon të mbarë me arrat e mrekullueshme shqiptare. Ju bëfshin sa më mirë./AgroWeb.org