Ky pa dyshim ka qenë një vit stresues, por lajmet në lidhje me vaksinat COVID-19 më në fund na kanë dhënë dritën e shpresës që kemi pritur.

Sigurisht që jemi gjithashtu mjaft kuriozë të mësojmë se si trupat tanë mund të reagojnë ndaj kësaj vaksine, sepse në fund të fundit nuk është një shkop magjik.

Ja çfarë AgroWeb.org ka mësuar nga ata që merren me administrimin vaksinave edhe nga ata që janë vaksinuar tashmë.

Ekzistojnë dy vaksina të ndryshme të aprovuara aktualisht për përdorim emergjent, njëra e prodhuar nga kompania biofarmaceuitke Pfizer-BioNTech dhe tjetra nga kompania bioteknologjike Moderna.

Të dyja përdorin një teknologji të re vaksinimi të njohur si “receptori rna” dhe të dyja kërkojnë dy doza të realizuara njëra pas tjetrës, në një hapësirë kohore të caktuar ndërmjet tyre.

Ndryshe nga vaksinat tradicionale që përdorin një fragment ose version të dobësuar të virusit, vaksinat e ARN-së nuk përmbajnë asnjë pjesë të virusit. Në vend të kësaj, ato dërgojnë një mesazh në qelizat tona, të cilit sistemi ynë imunitar i përgjigjet duke prodhuar antitrupat që na duhen, pa pasur nevojë të marrim doza të virusit COVID-19.

Pavarësisht nga teknologjia e re, raportet e hershme tregojnë reagime të trupit  të ngjashme me ato të gripit.

Disa efekte anësore të mundshme janë:

-Dhimbje ose ënjtje në krah

-Ethe

-Të dridhura

-Lodhje

-Dhimbje koke

Jo shumë ndryshe nga çdo vaksinë tjetër, apo jo?

Yasir Batalvi, një burrë i cili ishte pjesë e provave klinike për vaksinën Moderna, tregoi për CNN përvojën e tij. Ai tha se dozën e parë të vaksinës, e ndjeu si pickim të lehtë në krah dhe i shkaktoi pak dhimbje. “Ishte diçka e menaxhueshme, por për disa minuta nuk mund ta ngrija dot krahun lart”, shpjegoi ai.

Pas dozës së dytë, Batalvi tha se kishte pak ethe, të dridhura dhe lodhje, por mjekët i thanë që të mos shqetësohej sepse kjo ishte një shenjë që vaksina po bënte pikërisht atë që duhej. Ditën tjetër Batalvi tha se ndihej mirë, gati për të filluar rutinën e tij ditore.

Mjekët shpjegojnë gjithashtu se edhe nëse nuk i ndjeni këto efekte anësore nga vaksina, nuk do të thotë se ajo nuk po e bën punën e saj.

Edhe pse rastet e reaksioneve alergjike mund të ndodhin me çdo vaksinë, në këtë rast ato kanë qenë jashtëzakonisht të rralla. Këto raste ndodhin menjëherë pasi bëhet vaksina dhe kjo është një nga arsyet që mjekët zakonisht i detyrojnë njerëzit të presin për rreth 15 minuta pasi vaksinohen. Disa njerëz gjithashtu kanë ndjerë dobësi ose trullosje, por kjo duket se ka të bëjë më shumë me ”frikën” ndaj gjilpërave sesa me vetë vaksinën.

Janë ende ditët e para të vaksinimit dhe shpresojmë që reagimi të jetë më i qëndrueshëm ndaj vaksinave COVID-19 gjatë muajve të ardhshëm. Kështu do mund të kemi shumë më shumë qetësi shpirtërore dhe mjaft përqafime midis njerëzve të dashur./AgroWeb.org