‘Drita e syve’ është një nga shprehjet më popullore që përdorin shqiptarët kur duan të tregojnë dashurinë për dikë.

Por si  dashuria ashtu edhe drita e syve është diçka që rrezikohet kaq lehtë nga veprime të përditshmërisë sonë.

Në këtë artikull do të mësoni më shumë për gabimet që rrezikojnë seriozisht shëndetin e syve.

Prekja e Syve Me Duar Të Palara

 Një njeri e prek fytyrën të paktën 16 herë në orë.

Duart e palara përmbajnë baktere dhe viruse të rrezikshme që nëse bien në kontakt me sytë, shkaktojnë infeksione të rrezikshme.

Përpiquni  të shmangni kontaktin me duart dhe lajini gjithmonë ato, sidomos përpara se të ndërroni lentet e kontaktit.

Fërkimi i Syve

Fërkimi i syve mund të shkaktojë çarje të enëve të gjakut dhe i skuq ato.

Fërkimi i syve lehtëson transferimin e baktereve dhe viruse nga qepallat, tek qerpikët dhe më pas brenda syve.

Nëse keni kruarje, përpiquni të fërkoni zonën përrreth syve.

Përdorimi i Solucioneve Zbardhuese

 Solucionet me pika për zbardhjen e syve mund t’i skuqin më tepër ato.

Pikat në fjalë pengojnë qarkullimin e gjakut në sy.

Megjithatë përdorimi afatgjatë i tyre lehtëson përshtatjen e syve me solucionin.

Në momentin që ndaloni së përdoruri, enët e gjakut në sy zgjerohen më shumë.

Në këtë mënyrë ato do të ngjajnë të kuq.

Këto solucione nuk duhen përdorur shpesh, sepse përpos të tjerave i përthajnë sytë.

Mungesa e Mbrojtjes

Më shumë se 40 përqind e lëndimeve të syve shkaktohen nga sende metalike apo druri dhe produkte pastrimi.

Të dhënat shkencore thonë se meshkujt janë më të rrezikuar nga lëndimet e syve gjatë punës.

Ndaj herën tjetër që bashkëshorti juaj do të rregullojë diçka në shtëpinë apo kopështin tuaj, sigurohuni që të mbajë syze përkatëse mbrojtëse, pavarësisht sa qesharake mund të ngjajnë ato.

Shkulja e Qerpikëve

 Qerpikët kanë një funksion të mirëcaktuar.

Ato pengojnë hyrjen e pluhurave dhe papastërtive të ndryshme në sy.

Shkulja e tyre (vite më parë, njerëzit luanin ‘më do s’më do’ me qerpikë e jo me petale luledelesh) shkakton jo  vetëm dhimbje por edhe irritim.

Përpos kësaj, mungesa e qerpikëve nxit irritimin e syve, skuqjen, përlotjen dhe kruarjen.

Disa njerëz shkulin qerpikët nga stresi ose ankthi.

Ndaloni menjëherë dhe takoni një psikolog.

Ruajtja e Gabuar E Lenteve Të Kontaktit.

 Me kalimin e kohës, kutia ku mbani lentet e kontaktit mbushet me baktere.

Ato mund të shumohen dhe të shkaktojnë probleme me sytë

Këto probleme përfshijnë dhimbje, kruarje, ndjeshmëri ndaj dritës dhe shikim të turbullt.

Kutia duhet ndërruar çdo 3 ose 4 muaj, njësoj si furça e dhëmbëve.

Një herë në javë mund ta sterilizoni atë me ujë të valuar. /AgroWeb.org