Kungulli i Byrekut – Si ta Mbillni në Shtëpitë Tuaja

1.5k 0

Në zonën e Alpeve kultivohet për më shumë se 70-80 vjet specia curubita maxima, ose siçe njohim ndryshe ‘kungulli i byrekut’.

Fara e tij është mbajtur, ruajtur dhe trashëguar brez pas brezi dhe tani zë rreth 30-35 % të sipërfaqes që mbillet në zonë.

Kushtet e kultivimit:

Mbillet në anë të ngastra, në ledhe me ekspozicion nga dielli.

Pas përgatitjes së gropëzës me pleh organik, në të mbillen 3-5 fara. Pas mbirjes lihen 1-2 bimë për çdo gropë.

Zakonisht mbillet në anë ngastrash e në ledhe, me largësi 2-2,5 m midis bimëve (oxhakëve) në rresht. Po kështu, është e njohur praktika e mbjelljes së tij në bashkëshoqërim me misrin.

Por kungulli i byrekut mund të kultivohet edhe në ngastra të veçanta; në këto raste mbjellja bëhet me rreshta 200-250 cm dhe midis bimëve(oxhakëve) në rresht 120 -150 cm.

Kryhen ujitje, plehërime dhe prashitje e bimëve.

Mbillet me farë në oxhaqe (gropëza), në fund prillit dhe gjatë majit. Prodhimi fillon në fund të korrikut dhe vazhdon deri vonë në ngricat e vjeshtës.

Pas kësaj frutat vilen dhe ruhen për konsum dimëror.

Përshkrimi:

Bimë me kërcell zvarritës, me lastar të gjatë. Prodhon 3-4 fruta për bimë; me formë cilindrike, me gjatësi 15-20 cm e diametër 20-25 cm, me peshë mesatare 1,5-2.0 kg, nuk përjashtohen rastet edhe më të mëdha.

Në pjekjen teknike kanë ngjyrë jeshile të errët, kurse në pjekjen botanike ngjyrë të verdhë dhe me mozaik jeshil.

Tuli ka ngjyrë të bardhë ose të verdhë.

Veçantitë:

Ka qëndrueshmëri të mirë ndaj sëmundjeve dhe dëmtuesve, temperaturave të ulëta dhe të larta. Jep prodhim të mirë e të qëndrueshëm.

Përdorimi:

Preferohet për përgatitje të byrekëve, për konsum në familje dhe për tregun lokal./AgroWeb.org