Lëpjeta e Bjeshkëve – E Gjelbra Kuruese e Malësive

832 0

Bjeshkët e Shqipërisë janë një pasuri për vendin, për vetë faktin se në to rriten një sërë bimësh, barishtesh dhe frutash që konsumatorët e ndërgjegjshëm për rëndësinë e të ushqyerit mirë, i kërkojnë me ngulm.

Ndër thesaret që ofrojnë malësitë tona gjendet edhe lëpjeta e bjeshkëve, një bimë që i përket familjes botanike të hikrrës Polygonaceae.

Kjo bimë gjendet në mbarë Evropën dhe Shqipëria është me të vërtetë e bekuar me këtë bimë plot vlera.

Gjethet e lëpjetës së bjeshkëve janë më të mëdha se lëpjeta e zakonshme që gjendet nëpër fusha e lëndina.

Lëpjeta në fjalë gjendet në male, shpate të larta dhe bjeshkë, gjë që argumenton edhe emrin karakteristik të saj. Lëpjetën e bjeshkëve mund ta gjeni edhe në treg, dhe mund ta dalloni menjëherë falë përmasave të gjetheve të saj.

Lëpjeta e bjeshkëve është përdorur si bimë mjekësore që në lashtësi kundër skorbutit por jo vetëm kaq. Ajo ka aftësi pastruese, laksative, dhe në të mirë të mëlçisë. Lëpjeta e bjeshkëve mendohet të ketë shumë vlera për mirëqenien e përgjithshme, sepse përmban vitaminat C, B6, A por edhe hekur, magnez, mangan, bakër, kalium etj.

Vlerat shëndetsore të lëpjetës së bjeshkëve

Kundër anemisë

Hekuri dhe bakri kombinohen së bashku në sintetizimin e qelizave të kuqe dhe hemoglobinës. Bakri ndihmon në përthithjen e hekurit nga sistemi tretës dhe në çlirimin e hekurit nga mëlçia.

Kundër problemeve të zemrës

Vitamina B6 ndihmon në uljen e niveleve të homocisteinës dhe rimëkëmb enët e dëmtuara të gjakut. Kjo vitaminë menaxhon nivelet e kolesterolit dhe të tensionit të gjakut, që janë ndër shkaktarët kryesorë të sëmundjeve të zemrës.

Shëndeti i zemrës

Nivelet e larta të kaliumit tek lëpjeta e bjeshkëve ndihmon në uljen e gjasave të shfaqjes së gurëve në veshka. Nivelet e ulëta të kaliumit rrisin shanset e shfaqjes së gurëve në veshka, sepse lëngjet që kalojnë në këtë organ përmbajnë shumë kalcium.

Kundër osteoporozës

Niveli i lartë i magnezit, rrit dendësinë e mineraleve tek kockat, duke parandaluar osteoporozën dhe pamjaftueshmërinë e këtij minerali.

Përdorimet tradicionale

  • Në Evropë, gjethet e lëpjetës përdoren kundër djegies së hithrave.
  • Rrënjët dhe gjethet e lëpjetës përdoren në mjekësinë tradicionale të Austrisë për të trajtuar infeksionet virale.
  • Çaji që përgatitet nga rrënja e bimës përdoret në kurimin e infeksioneve të lëkurës.

Si ta konsumoni

  • Mund ta thani për përdorim të mëvonshëm
  • Gjethet mund t’i gatuani dhe t’i shtoni në sallata.
  • Farat dhe degët mund të hahen të gjalla ose të gatuara.
  • Gjethet e njoma konsumohen si barishtet e tjera./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.