Mjekja Mira Xhixha: Sa të rrezikuar janë të sëmurët me astmë dhe alergji nga COVID-19

628 0

Me përhapjen e COVID-19 shqetësimi më i madh tek komuniteti i mjekëve dhe i shkencëtarëve ishin ata që konsideroheshin edhe si grupi i riskut. Një ndër kategoritë ishin edhe të sëmurët me astmë apo pacientët që vuanin nga alergji të ndryshme.

Për t’i dhënë një përgjigje këtij shqetësimi, ATSH bashkëbisedoi me mjeken Mira Xhixha, alergologe pranë Poliklinikës nr. 3 në Tiranë.

Sipas mjekes, “astma bronkiale cilësohet si sëmundje që përmbledh grupe heterogjene të sëmurësh me profile të shumta, të diferencuara dukshëm midis tyre, në varësi të shkaktarëve, mekanizmave, faktorëve shpërthyes, klinikës dhe përgjigjes ndaj mjekimit. Ndaj rekomandimet që janë publikuar deri tani për pacientët me astëm dhe alergji, në  lidhje me infeksionin apo sëmundjen Sars-CoV 2 duhen interpretuar me kujdes. Që në fillim të shpërthimit të sëmundjes akute të rëndë respiratore (SARS-CoV 2), shkaktuar nga infeksioni me virusin (COVID-19), u ngrit diskutimi nga komuniteti shkencor nëse astma bronkiale duhej të klasifikohej si faktor risku për COVID-19”.

Menjëherë pas përhapjes së këtij infeksioni, tha mjekja, u ngritën grupe pune të përbërë nga shkencëtarë për të bërë studime dhe që dolën në konkluzione sa i përket ndikimit që mund të kishte tek pacientët me astmë. Sipas tyre këto studime ishin mjaft optimiste.

Doktoreshë Mira Xhixha u shpreh se, “raportimet e para mbi studimin e sëmundshmërisë së astmës në pacientë me COVID-19 ishin në Wuhan dhe më pas në SHBA.

Studiuesit kinezë e përjashtuan astmën si faktor influencues në COVID-19. Ky konstatim u mbështet edhe nga 2 grupe të tjerë investiguesish.

Në një studim ku u investiguan 1504 pacientë me astmë të rëndë u tregua që astma nuk ishte faktor risku i lartë për sëmundjen COVID-19, dhe në shumë studime klinike të tjera e përjashtuan gati plotësisht astmën si faktor predispozues të infeksionit dhe sëmundjes COVID-19.

Një tjetër raportim me vlerë u realizua nga ekspertët në 43 vende të botës dhe nuk e konsideruan astmën faktor risku favorizues për Sars-Cov 2. Po ashtu studimet panë që astma e mesme dhe e rëndë mund të ishte faktor predispozues për infeksion të rëndë të COVID-19, dhe në këtë grup u investigua më tej profili inflamator në të cilën astma përkufizohet”.

Mjekja Xhixha ndau me ne konkluzionet e shkencëtarëve duke u shprehur se, nga studimet u konkludua që profili i identifikuar si alergjik, ishte më i sigurti për këtë mungesë risku. Kështu që të jesh alergjik apo me astëm nuk do të thotë që riskon më shumë se individët e shëndoshë për t’u infektuar nga COVID-19 apo për t’u sëmurur. Kjo sidomos nëse zbatohen të gjitha masat e rekomanduara për parandalimin e infeksionit, tashmë kaq shumë të lakuara si (mbajtja e maskës, distanca, higjiena) të cilat janë të vetmet “armë” efikase deri tani për mbrojtjen nga sëmundja Sars-Cov 2./Burimi:ATA