Një Natë pa Gjumë Rrit Rrezikun e Shfaqjes së Diabetit

417 0

Rëndësia e gjumit për organizmin është e vërtetuar shkencërisht.

Studimet më të fundit konfirmojnë se mjafton një natë pa gjumë që rreziku i shfaqjes së diabetit të pësojë rritje.

Gjumi është një proces fiziologjik shumë misterioz por thelbësor për shëndetin.

Ai i jep kohë dhe mundësi trurit të pastrohet nga toksinat që akumulohen gjatë ditës.

Mungesa e gjumit dhe problemet mendore kanë një lidhje të fortë me njëra tjetrën dhe luajnë një rol kryesisht përkeqësues.

Në aspektin fizik, gjumi mundëson rikuperimin e trupit nga problemet e hasura gjatë ditës.

Me stilin modern të jetesës, fjetja për 7 deri në 9 orë është kthyer në një të mirë të papërballueshme.

Pasojat ama janë epidemike.

Mungesa E Gjumit Dhe Diabeti

Sipas studimeve, tek të cilat bazohet AgroWeb.org, njerëzit që nuk flenë mjaftueshëm, kanë më shumë gjasa të hanë më shumë, të kryejnë më pak aktivitet fizik dhe të shtojnë më shumë në peshë.

Ekspertët së fundmi paralajmëruan se ndryshimet në stilin e jetesës si pasojë e mungesës së gjumit rrisin ndjeshëm rrezikun e shfaqjes së diabetit.

Të dhënat tregojnë se nëse natën njeriu kalon të paktën 6 orë pa gjumë, atëherë niveli i glukozës në gjak është ndjeshëm i lartë.

Për më tepër, mëlçia është e paaftë të përpunojë siç duhet insulinën duke nxitur rezistencën daj saj.

Mungesa e gjumit sipas shkencëtarëve shkakton ndryshime edhe në enzimat e mëlçisë të cilat kanë lidhje me metabolizmin.

Një gjë e tillë besohet të jetë pikënisja e formimit të rezistencës ndaj insulinës dhe akumulimit të yndyrnave në mëlçi.

Kësisoj ata këshillojnë që zbatimi i një rutine strikte të gjumit është e një rëndësie të veçantë për njerëzit e rrezikuar nga diabeti.

Ndiqni këto këshilla nga AgroWeb.org dhe flini siç duhet dhe mjaftueshëm për të garantuar mirëqenien e mendjes dhe trupit tuaj.

Vendosni Një Objektiv

Synoni të flini shtatë orë dhe të jeni energjikë për të përballuar sfidat e ditës.

Nëse zgjoheni pas një gjumi të mirë, do të ndiheni të gjallëruar, më të motivuar dhe më të vullnetshëm për t’u rezistuar tundimeve të panevojshme.

Vendosni Një Orar Dhe Respektojeni

Ndërmarrja e një angazhimi të tillë është hapi i parë drejt një gjumi cilësor.

Vendosni një orar, një rutinë tuajën dhe respektojeni sa më shumë.

Fikni telefonin që t’i shmangeni tundimit për të parë çfarë ndodh në rrjetet sociale.

Vendosni një alarm që t’ju kujtojë se është koha për të fjetur.

Ushqehuni Shëndetshëm

Kur trupi dhe mendja janë të lodhur, ju i keqinterpretoni dëshirat tuaja.

Herën tjetër që kuptoni se po hani pa pasur mendjen, përpiquni të zbuloni nëse po hani se jeni të uritur apo nuk jeni ngopur me gjumë.

Lodhja me urinë ngatërrohen shpesh me njëra tjetrën.

Qetësohuni

Jepini kohë vetes. Qetësohuni, merrni frymë thellë, shtendosuni dhe përqendrohuni tek momenti dhe jo ngjarjet e ditës./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.