Nis Faza e Dytë e Vaksinimit në Vend – Priten edhe 40 mijë Doza të Tjera

318 0

Programi i vaksinimit kundër coronavirus-it në Shqipëri po vijon sot me dozat e dyta për zyrtarët dhe personelin e shëndetësisë, të cilët u vaksinuan të parët më 11 janar.

Mes personave që u vaksinuan sot ishte edhe kryeministri Edi Rama, i cili deklaroi se deri në mesin e muajit shkurt pritet të vijnë rreth 10 mijë doza të kontraktuara nga kompania Pfizer.

40 mijë vaksina për Shqipërinë

“Deri në fund të muajit vijnë rreth 40 mijë doza të tjera”, u shpreh kreu i qeverisë.

Teksa u pyet nga gazetarët, nëse do të vijnë dozat e tjera të planifikuara sipas kontratës në muajin mars, kryeministri u shpreh se nuk duhet të referohemi tek një grusht letrash.

“Mos u referoni një grushti letrash të nxjerra ilegalisht nga një draft-kontratë. Jini të vëmendshëm kur bëni pyetjet.  Kontratat kanë fleksibilitet”, tha ai.

Rama theksoi se Shqipëria, së bashku me Serbinë janë të vetmet vende në rajon që kanë filluar procesin e vaksinimit.

“Në rajon jemi i vetmi i vend së bashku me Serbinë që ka hyrë në zbatimin e kontratës dhe ka filluar vaksinimin për mjekët dhe infermierët”, tha ai.

Pas 975 dozave të marra si donacion nga një vend anëtar i Bashkimit Evropian, mbrëmjen e së hënës në Tiranë mbërritën 1,170 dozat e para nga 10 mijë që priteshin që në fund të janarit prej kontratës direkte me kompaninë Pfizer.

Ndërkohë dy javët e fundit autoritetet kanë konstatuar rritje shqetësuese të prirjes së infeksionit.

Në mbledhjen që zhvilloi të hënën Komiteti Teknik i Ekspertëve u vendos të vijohej me masat kufizuese të mëparshme, si lëvizje dhe aktivitete me orare të kufizuara, maska me detyrim edhe në mjedise të hapura, ndalim i fluturimeve direkte me Britaninë e Madhe dhe vijim online i mësimit në universitete.

Burimi: Euronews Albania