Okulistja: Gjatë Pandemisë Vizitat E Fëmijëve Për Shikimin Janë Dyfishuar

328 0

Zhvillimi i mësimit online për shkak të pandemisë e ka shtuar kohën e qëndrimit të fëmijëve para ekranit të një telefoni apo kompjuteri.

“Është shumë shqetësuese, fëmijët janë bërë të varur”, u shpreh një prind.

Qëndrimi me orë të zgjatura para ekraneve teknologjike po ndikon drejtpërdrejtë tek shikimi i fëmijëve.

Gjatë pandemisë vizitat tek okulisti thuajse janë dyfishuar.

“Nëse kemi pasur pesë fëmijë, tani kemi 10. Kemi pasur një fluks vizitash nga prindërit që kanë paraqitur fëmijët e tyre me ankesën që ka shikim jo të mirë ose ka një farë turbullire, ka një lodhje”, u shpreh akulistja Suzana Zhuka

Okulistja këshillon që pas zhvillimit të mësimit online, fëmijët të shmangin përdorimin e menjëhershëm të telefonit.

Por, sipas psikologëve një pjesë e mirë e fëmijëve kanë krijuar varësi ndaj mjeteve të komunikimit digjital.

“Më parë fëmijët lexonin, tani nuk ndodh më kjo, tani është i vështirë t’i angazhosh fëmijët. Nëse fëmijës i heq internetin, i heq për dy tre ditë telefonin, atij do fillojnë ti shfaqen probleme të humorit, do nervozohet, do ketë probleme me gjumin, këto janë ç’rregullime që ai shfaq në momentin që nuk e ka teknologjinë”, u shpreh punonjësja e shërbimit psiko-social në shkolla, Sonila Prroni Mulgeci.

Të gjendur përballë kësaj sfide, specialistët këshillojnë prindërit që t’i angazhojnë fëmijët në aktivitete në natyrë, dhe pas çdo një orë qëndrimi në ekranet teknologjike të bëhet një pushim 5-10 minuta./Burimi:EuroNews