Sa Parashikohet të Zgjasë Periudha e Karantinës në Shqipëri

232 0

Prej thuajse një jave qytetet e mëdha të Shqipërisë janë në karantinë.

Ato që po e ndjejnë më shumë peshën dhe janë tërësisht të izoluara janë Tirana e Durrësi.

Duke marrë parasysh që janë dy nga zonat me dendësi popullsie më të madhe masat janë strikte.

Prej orës 18:00 të pasdites ndalohet qarkullimi edhe i këmbësorëve në çdo qytet të vendit.

Kjo gjendje sigurisht që ka shkaktuar paqartësi, ankth e mërzi tek qytetarët të cilëve i’u duhet të luftojnë kundër një armiku të pandukshëm.

Nën vazhdën e këtyre masave drastike janë edhe shumë shtete të tjera të botës, pasi konsiderohen si të domosdoshme për të mbajtur nën kontroll COVID-19.

Bota ka ndaluar prej disa ditësh teksa thuhet se ky është vetëm fillimi i pandemisë për Evropën.

Sa do të zgjasë kjo gjendje?

Pyetja më e shpeshtë që mund t’i bëni si vetes ashtu dhe të tjerëve këtë kohë është se kur do të mbarojë e gjitha kjo.

Ekspertët në të gjithë botën shprehen se Evropa është kthyer në qendrën e virusit dhe se është vetëm në fillimet e saj.

Edhe Kryeministri Rama e ka paralajmëruar këtë gjë disa here në komunikimet e tij me qytetarët.

Masat drastike do të shtohen është shprehur ai për qytetarët dhe me siguri kjo pritje për të vazhduar jetën normale do të jetë e gjatë.

Në një intervistë për ReportTv, Zoti Rama u shpreh se sfida për shqiptarët sot është të respektojnë rregullat e vendosura, megjithëse mund të duken absurde në kohë normale.

Periudhën e saktë se kur kjo situatë do të mbarojë ai thotë se nuk mund ta dijë, as për Shqipërinë apo për Evropën, por ka një parashikim të afërt.

“Është marrë një masë që bazohet tek një afat tek dy apo tre javor me idenë që këto 2-3 javë janë të domosdoshme për të ulur kurbën e shpërndarjen sepse duhet të kemi të qartë, dhe kam qenë i detyruar të mësoj shumë nga detyra dhe halli për këtë mortje që sulmuar botë, është se asnjë masë nuk e ndal shpërndarjen e virusit, të jemi të qartë.”

Kryeministri Rama gjithashtu shtoi se megjithëse këto masa nuk e zhdukin virusin, e ndihmojnë atë që të jetë më i butë si për njerëzit ashtu edhe për sistemin shëndetësor.

 “2-3 javë do të jenë ndikuese në uljen e kurbës, në ngadalësimin e shpërndarjes së virusit, do t’i japë mundësi shumë njerëzve që ta kalojnë gjendjen në shtëpi.”

Ai theksoi se është e rëndësishme që të respektohen masat e vendosura në mënyrë që Shqipëria të përjetojë skenarin më të mirë të virusit./AgroWeb.org