Si Ndikon Mikrobioma E Sistemit Tretës Tek Cilësia Gjumi

466 0

Shëndeti i sistemit tretës lidhet ngushtë me funksionin e shëndetshëm të trurit.

Studimi i ri nga Universiteti i Tsukuba në Japoni, në të cilin AgroWeb.org mbështetet, sugjeron që bakteret në sistemin tretës mund të ndikojnë gjithashtu tek gjumi duke ndihmuar në krijimin e sinjaleve të rëndësishëm kimikë në tru, të tilla si serotonina dhe dopamina.

Ky studim mund t’i japë shpresë njerëzve që kanë probleme me gjumin ose që vuajnë nga sëmundje që lidhen me të.

Autori kryesor i këtij studimi Prof. Masashi Yanagisawa thotë : “ Ne zbuluam se eleminimi i disa mikrobeve në zorrë, uli nivelet e serotoninës dhe ne e dimë që serotonina ndikon në ciklin e gjumit. Kështu që është e rëndësishme të kemi prani të mikrobeve të mira në zorrë dhe kjo arrihet falë një regjimi të shëndetshëm ushqimor.”

Ky studim vërtetoi se elementët njohës (kognitive) dhe të zhvillimit të trurit, kanë një lidhje të fortë me shëndetin mikrobial të zorrëve dhe metabolizmin.

Boshti mikrobiotë-sistemi tretës -tru.

Sjelljet dhe proceset e përditshme të trupit (ritmi cirkadian) ndikojnë ndjeshëm në ciklin e gjumit. Ritmi cirkadian është proces ose funksion thelbësor biologjik, që ndjek një cikël 24-orësh bazuar në orën e brendshme të trupit.

Një nga ritmet më të rëndësishme cirkadiane është cikli “gjumë-zgjim”. Faktorët që e ndryshojnë ose e shqetësojnë këtë cikël mund të shkaktojnë shqetësime gjatë gjumit.

Shëndeti i zorrëve është i lidhur ngushtë me funksionin e trurit me anë të sistemit të qarkullimit të gjakut dhe nervit vagus, të cilat krijojnë një rrjet të quajtur “boshti i trurit dhe zorrës” ose “boshti i mikrobiotës,zorrës dhe trurit”.

Kërkimet tregojnë se mikrobioma e sistemit tretës (bashkësia e baktereve, viruseve dhe kërpudhave që jetojnë në zorrë) ka një efekt në elementet e funksionit njohës, në zhvillimin e trurit, në formimin e kujtesës, në ritmin cirkadian dhe në shëndetin mendor.

Kur hamë dhe çfarë hamë, ndikon menjëherë në mikrobiotën e sistemit tretës . Ndryshimet në mikrobiotën e sistemit tretës mund të ndryshojnë metabolizmin e zorrëve për mirë ose për keq, kjo në varësi të ushqimeve që konsumojmë.

Prandaj, ndryshimi i regjimit ushqimor mund të përmirësojë potencialisht gjumin e një personi ose të zvogëlojë problemet e gjumit. E nëse kjo do të vërtetohej plotësisht, do të shërbente si një trajtim alternativ natyral, që zëvendëson ilaçet e gjumit./AgroWeb.org