Supa me Gështenja – Pjata Më e Shëndetshme e Stinës

2.9k 0

Është sezoni i artë i gështenjave dhe Shqipëria është një nga të bekuarat e natyrës falë pasurisë që ka nga sipërfaqe të tëra toke me pemët e gështenjës, sidomos në zonat veriore të saj.

Sigurisht, tradita na ka mësuar prej shekujsh t’i shijojmë gështenjat e pjekura apo të zjera.

Sidomos darkave kur është ftohtë dhe e gjithë familja mblidhet rreth ngrohtësisë dhe shijes fantastike të këtyre frutave të vogla magjike për shëndetin.

Por mënyrat e përdorimit të gështenjave në kuzhinë janë të panumërta në receta të kripura dhe të ëmbla.

AgroWeb.org do të vijojë të publikojë në artikujt e radhës receta të ndryshme me përbërësin kryesor: Gështenjën.

Në këtë artikull përshkruhet përgatitja e një supe fantastike me gështenja, plot shije dhe vlera shëndetësore.

E lehtë dhe delikate, kremoze dhe e plotë, supa me gështenja është një pjatë e mrekullueshme në shije dhe e pasur me vlera ushqyese për organizmin.

Kjo, falë vitaminave dhe kripërave minerale si kalçium, potas, hekur, magnez etj që këto fruta kanë.

Gështenjat janë më të rekomanduarat për personat që kanë komplikacione shëndetësore nga diabeti, anemia, ndihmojnë në uljen e kolesterolit në gjak, mirëfunksionimin e mëlçisë etj.

Më poshtë AgroWeb.org u sugjeron një recetë të shëndetshme, e cila mund të përgatitet shumë shpejtë dhe lehtë në shtëpi për gjithë familjen.

Si Të Përgatisim Në Shtëpi Supën me Gështenja

Përbërësit

700  gr gështenja

Katër lugë vaj ulliri

4 presh (Pa pjesën e gjetheve)

1 karrotë

1 litër lëng pule

Kripë

Majdanoz

Limon

Përgatitja

Si fillim pastrojmë gështenjat dhe më pas i kalojmë në një tenxhere me ujë që t’i zjejmë.

Pasi gështenjat kanë zjerë i heqim nga zjarri.

Më pas, gështenjat i pastrojmë mirë nga lëkurat.

Përmes një thike të mprehtë, gështenjat i presim në tre apo katër feta secilën. (disa nga fetat e gështenjave mund t’i ruajmë për t’ia hedhur supës krem në fund)

Në një tenxhere hedhim vajin e ullirit, shtojmë aty preshin dhe karrotat e grira hollë dhe i kavërdisim derisa volumi i tyre të bjerë.

Më pas, hedhim lëngun e pulës, gështenjat dhe kripën.

I lëmë të zjejnë për 25 minuta.

Në vijim, supën e heqim nga zjarri dhe e kalojmë në mikser për të krijuar një masë kremoze.

Kjo supë serviret e ngrohtë dhe sipër mund t’i hedhim disa feta gështenjash të prera hollë dhe ta spërkasim me disa gjethe të grira majdanozi dhe pak lëng limoni (sipas dëshirës).

Shoqërohet me bukë të thekur  dhe me sallata të ndryshme të përgatitura me perimet e stinës./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.