Jo vetëm vlera shëruese, kjo supë ngjall emocionet e dashurisë, përkujdesjes dhe ngrohtësisë së shtëpisë

Në ditët e zymta, kur i ftohti ose gripi të gjunjëzon, supa me lëng pule është një ngushëllim i vërtetë.

Ajo është mike e shpirtit në ditë të këqija, por përpara se të merrte këtë rol, nënat tona i thurnin lavde asaj, ashtu siç edhe sot e kësaj dite, si kura ideale kundër sëmundjeve të trupit.

Por çfarë e bën supën e pulës një aleate kaq të fortë të shëndetit?

Të dhënat e ekspertëve të AgroWeb.org tregojnë se supa e pulës është e dobishme dhe efikase në trajtimin e disa sëmundjeve.

Efektet Mirëbërëse të Supës së Pulës

Ka efekt pastrues- Kur jemi sëmurë, këshilla e parë që dëgjojmë është se duhet të pijmë shumë lëngje. Në ato momente, trupi është një fushëbeteje e virusëve dhe antitruprave të cilët duhet të nxirren jashtë organizmit sa më shpejt. Lëngu i pulës e bën këtë punë për mrekulli.

Ka efekt disinfektues- Supa e pulës është përgjithësisht me kripë, ndaj që në gllënkën e parë kjo supë punon në të mirë të organizmit. Ajo largon bakteret nga fyti, goja dhe bajamet  duke i disinfektuar ato si në rastin e gargareve.

Pastron sekrecionet-Si në rastin e lëngjeve të tjera të ngrohta, supa e pulës pastron rrugët e frymëmarrjes nga sekrecionet.

Luan rol forcues-Proteinat tek supa dhe ushqyesit e perimeve të tjera punojnë bashkë për t’i dhënë forcë trupit kur i janë shterur energjitë.

Studimet kanë treguar se supa e pulës ka një ndikim më të thellë. Ajo rekomandohet në rastet e azmës, emfizemës apo edhe në raste aksidentesh ose lëndimesh sepse zbut inflamacionin në zonat e prekura.

Supa e pulës me perime të shtuara ka vlera të rëndësishme shëruese.

Pula përmban cisteinë, një amino acid që hollon sekrecionet në mushkëri dhe përshpejton daljen e tyre nga organizmi.

Karrotat (që përmbajnë beta karoten) dhe selinoja (që përmban vitaminë C), forcojnë sistemin imunitar dhe luftojnë infeksionet.

Qepët luajnë rolin e antioksidantit që zbut inflamacionin  dhe reagimet alergjike

Përveç kësaj, supa e pulës ka një ndikim psikologjik tek njeriu. Ajo zakonisht ngjall emocionet e dashurisë, përkujdesjes dhe ngrohtësisë së shtëpisë.

Si ta përgatisni në shtëpi

Përbërësit

1 pulë e plotë

4 karrota të ndarë në gjysmë

4 kërcenj selinoje të ndara në gjysmë

1 qepë e madhe e ndarë në dysh

Ujë

Kripë dhe piper

Udhëzimet

Merrni një tenxhere të madhe dhe shtoni pulën, karrotat, selinonë, qepën dhe mbulojini me ujë.

Vendoseni në zjarr pa e mbuluar tenxheren dhe zijeni deri sa mishi i pulës të shkëputet nga kockat. Herë pas here hiqni shkumën në sipërfaqe me një lugë druri.

Pas zierjes, kullojeni lëngun dhe ndajeni mënjanë.

Mishin e pulës ndajeni nga kockat. Prijini karrotat, selinonë dhe qepën hollë.

Lëngun pasurojeni me kripë dhe piper.

Shtoni mishin e copëtuar të pulës dhe përbërësit e tjerë, përzijini mirë dhe servireni të ngrohtë./AgroWeb.org