Në përgjithësi, zarzavatet me gjethe jeshile janë disa nga ushqimet më të pasura me lëndë ushqyese.

Ato përmbajnë pak kalori dhe shumë vitamina e minerale, të cilat mund të ndihmojnë në përmirësimin e shëndetit tuaj të përgjithshëm.

Sipas studimit të ri nga Universiteti Edith Cowan në Australi, ku AgroWeb.org u bazua, konsumi i rregullt i zarzavateve me gjethe jeshile, mund të ndihmojë në forcimin e muskujve dhe në parandalim e frakutrave.

Se cilat janë zarzavatet më të mira me gjethe jeshile dhe si e mbështesin ato shëndetin e muskujve dhe kockave tuaja, AgroWeb.org ju fton ta zbuloni më poshtë.

Si e rrisin barishtet e gjelbra forcën e muskujve?

Forca e muskujve është një përbërës kritik i shëndetit të përgjithshëm dhe ndihmon në kryerjen e detyrave të përditshme, si ngritja e sendeve të rënda, ecja dhe madje ngritja nga shtrati.

Mirëmbajtja e muskujve siguron që i gjithë sistemi juaj të funksionojë në mënyrë korrekte dhe efikase.

Forca e muskujve është gjithashtu thelbësore për shëndetin e nyjeve dhe kockave pasi ndihmon në parandalimin e dhimbjeve dhe lëndimeve.

Barishtet janë të mbushura me nitrate, të cilat trupi i shndërron në oksid nitrik.

“Oksidi nitrik relakson enët e gjakut dhe bën që ato të zgjerohen. Kjo lejon një shpërndarje më të madhe të oksigjenit në muskuj ”, tha Dr. Niket Sonpal, doktor i mjekësisë interne dhe gastroenterolog nga New York-u.

“Muskujt tanë kanë nevojë për më shumë oksigjen kur ushtrohemi. Oksigjeni është thelbësor për krijimin e energjisë gjatë punës dhe është gjithashtu i rëndësishëm për rikuperimin e muskujve”, shpjegon më tej ai.

Barishtet e gjelbra rrisin forcën e muskujve dhe shpejtësinë e ecjes

Studiuesit në këtë studim, vlerësuan të dhënat shëndetësore të 3,759 Australianëve gjatë një periudhe 12-vjeçare.

Pjesëmarrësit që konsumuan më shumë nitrate, të cilat gjenden me bollëk tek zarzavatet me gjethe jeshile si spinaqi, lakra jeshile dhe marulet, kishin 11% me shumë forcë në gjymtyrët e poshtëm.

Ndërsa shpejtësia e ecjes ishte afërsisht 4% më e shpejtë krahasuar me pjesëmarrësit që konsumuan më pak zarzavate me gjethe jeshile.

Studiuesit gjithashtu vëzhguan aktivitetin fizik të pjesëmarrësve. Ata zbuluan se perimet rritën forcën e muskujve pavarësisht nëse pjesëmarrësit kryenin apo jo aktivitet fizik.

Cilat lloje të barishteve duhet të hani?

Studiuesit zbuluan se marulja, spinaqi, lakra jeshile dhe panxhari kishin efektet më të mëdha në shëndet.

Zarzavate të tjera me gjethe jeshile dhe të pasura me nitrate janë kopra, panxhari, majdanozi, lakra dhe rukola.

Për shumicën e njerëzve, konsumi i një filxhani me zarzavate çdo ditë është e mjaftueshme.

Barishtet e gjelbra, janë një mundësi më e lirë sesa shtimi i një suplementi dhe mund të ofrojnë një bazë më të gjerë të lëndëve ushqyese, thonë ekspertët./AgroWeb.org