Dritëhijet e Mjaltit Made in Albania

993 0

Falsifikimi i produkteve ushqimore është një biznes që po gjen gjithnjë e më shumë terren, veçanërisht në Shqipëri ku shpesh ligjet janë të pafuqishme madje hera-herës mungojnë totalisht përsa i përket sigurisë ushqimore. Një nga produktet me potencial shumë të lartë falsifikimi është mjalti. Me përhapjen e falsifikimeve të produkteve të konsumit, shumë prej nesh nuk arrijmë të kuptojmë se çfarë blejmë e për çfarë na shitet.

Raporti i fundit i BE-së për Shqipërinë thekson se, “Për sa i përket rregullave të sigurisë ushqimore, nuk janë bërë përparime në përditësimin e rregulloreve për etiketimin e ushqimit, materialet në kontakt me ushqimin dhe agjentët ndotës në përputhje me acquis përkatëse.”

Jo më larg se një muaj më parë, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) gjatë një kontrolli në aksin rrugor Tepelenë-Gjirokastër, sekuestroi 30 kg mjaltë për mungesë etiketimi dhe dokumentacion gjurmueshmërie origjine si edhe rreth 15 kg në aksin rrugor Llogara-Palasë për të njëjtat arsye. Drejtori i Përgjithshëm i AKU Afrim Bakaj, i pranishëm gjatë kontrolleve, u bëri thirrje qytetarëve shqiptarë të shohin me shumë kujdes etiketat e mjaltit që blejnë.

“U bëj thirrje qytetarëve shqiptarë që të mos blejnë produkte në rrugë apo tregje të pakontrolluara nga AKU. Çdo produkt, mjaltë apo vaj ulliri që shitet pa miratimin e etiketimit të AKU-së është abuziv”, është shprehur prerazi Z.Bakaj.

Drejtori i AKU-së bëri me dije se, janë ngritur dy grupe kontrolli në të dyja akset Llogara –Palasë në Vlorë dhe Ujin e Ftohtë Tepelenë, për të mos lejuar asnjë rast abuziv me mjaltin dhe vajin e ullirit duke theksuar se, në të dyja akset po bashkëpunohet edhe me Policinë e Shtetit dhe Antikrimin Ekonomik për t’i shkuar deri në fund këtij procesi.

Nuk është hera e parë që autoritetet e sigurisë ushqimore bëjnë përpjekje për t’i dhënë fund abuzimit, por ende falsifikimi i produkteve mbetet një problem shumë madhor.

AKU gjatë një kontrolli në aksin rrugor Tepelenë-Gjirokastër, sekuestroi 30 kg mjaltë për mungesë etiketimi dhe dokumentacion gjurmueshmërie origjine. Foto: AKU
Eksporti i mjaltit – Një shans i humbur

Mundësitë për eksport të mjaltit nga Shqipëria mbeten të kufizuara. Prodhimi i tij duket se ka vështirësi të plotësojë kërkesat dhe standardet e kërkuara në tregjet Evropiane. Mbi të gjitha, prodhuesit e mjaltit nuk janë konkurues në tregun rajonal, përjashto rastet e shitjes së llojeve të mjaltit me vlera të veçanta, siç është rasti i mjaltit të gështenjës ose mjalti i shitur në rrjetet e marketeve shqiptare në rajon. Kështu thuhet në një raport të fundit të vitit 2015 nga Well Food Project, i cili nxjerr në pah pengesat kryesore për eksportin i mjaltit shqiptar në rajon dhe Evropë. 

Sipas raportit, ‘Shqipëria prodhoi, gjatë 2011, përreth 2900 ton mjaltë nga 13.171 koshere bletësh. Konsumi i mjaltit për frymë është rreth 1,6 -1,7 kg, sasi e ngjashme me mesataren e vendeve të BE-së. Sasia e mjaltit e prodhuar nga Shqipëria është rritur rreth 145% gjatë dekadës së fundit. Eksporti i mjaltit është i pastabilizuar ndërsa importi zë vetëm 10% të sasisë së përgjithshme të konsumit.

Pjesa më e madhe mjaltit prodhohet në rajonet e Vlorës, por edhe rajonet e Korçës dhe Elbasanit luajnë një rol të rëndësishëm në prodhimin e mjaltit në Shqipëri.
Çmimi i mjaltit është rreth 10 Euro/kg ndërsa në tregëtinë me shumice rreth 8 Euro/kg, ndërkohë që në disa tregje si Turqi, Argjentinë apo Kinë çmimi është rreth 3 Euro/kg.

Sipas raportit, praktikisht nuk ekziston përpunim i mirëfilltë i mjaltit në asnjë prej zonave të studiuara nga ky projekt veçanërisht për mjaltin e gështenjës. Nevojitet një standardizim në mënyrë që të sigurohet e njëjta shije dhe cilësi e prodhimit çdo vit. Kjo do të rriste prezencën e mjaltit të gështenjës në treg. Marketingu i mjaltit në përgjithësi dhe i mjaltit të gështenjës në veçanti në Tropojë dhe Reç nuk është i mirëorganizuar.

Çdo bletërritës shet mjaltin e tij në blerës të rastit ose në tregëtarë të ndryshëm. Nuk ekzistojnë kanale të stabilizuara tregëtimi. Nuk përdoren etiketa të standardeve të kërkuara për mjaltin e gështenjës në këto dy zona. Megjithatë, tregëtimi i mjaltit, sipas raportit, është më i mirëorganziuar në Pukë.

Gjithsesi, për një strategji diversifikimi, disa prodhues të mëdhenj të mjaltit po bëjnë përpjekje për të hyrë në tregun e eksporteve. Shumë pak mjaltë eskportohet dhe kërkesat e ulta të hyrjes së mjaltit në Shqipëri, përbëjnë një kërcënim për fermerët të cilët nuk janë shumë konkurues. Falsifikimet dhe shitja e paligjshme e mjaltit dhe prodhimet e tjera të bletëve janë më të pranishme në tregjet urbane. Përdorimi i pakriter i pesticideve në bimësi ndikon negativisht në cilësinë e përgjithshmë të mjaltit. Kontrolli i tregut dhe kriteret e sigurisë vështirë se zbatohen.

Disa organizata donatore si Organizta Hollandeze e Zhvillimi, Cooperazione Italiana, Bashkëpunimi Zvicerian dhe OXFAM kanë mbështetur në vijimësi këtë sektor. Gjithashtu edhe MADA veçanërisht për vendosjen e etiketave të cilësisë për mjaltin e gështenjës në rajonin e Shkodrës.

Sipas raportit, fermerëve u duhet asistencë në aplikimin dhe përmbushjen e Kodit të Paktikave për gështenjat dhe prodhimin e mjaltit të gështenjave. Veçanërisht e rëndësishme është asistenca për kontrollin e sëmundjeve të gështenjës në këto zona.

Sigurisht, falsifikimi i produkteve ushqimore nuk është një shpikje shqiptare, edhe pse është paksa e çuditshme të falsifikosh mjaltin, produktin që ka një jetëgjatësi të përjetshme. Arkeologët e studimit të mjaltit, duke rrëmuar në varre të lashta Egjiptiane, shpesh kanë gjetur qypa me mjaltë, mijra vjeçarë, ende të paprishura, një dëshmi e patjetërsueshme e përjetësisë së mjaltit. Legjendat thonë se Kupidi, ëngjëlli i dashurisë, i lyente shigjetat e tij në mjaltë përpara se të qëllojë të dashuruarit. E nëse dashuria është e verbër, ju bëni mirë t’i bëni sytë katër teksa blini produktin e ëmbël, mjaltin./AgroWeb.org/