Jufka Dibrane me Pulë – Mjeshtëri e Traditës Shqiptare

25.7k 0

Jufkat e përgatitura në shtëpi, janë krenaria e çdo amvise shqiptare. Këto petë të arta brumi gatuhen me produkte të freskëta dhe pa substanca artificiale.

Ato përgatiten me vezë, thahen, copëtohen ose marrin forma të ndryshme. Përgatitja e jufkave është mjeshtëri më vete.

Zona e Dibrës në veçanti njihet si gurëthemeli i kësaj tradite shqiptare.

AgroWeb.org u sugjeron më poshtë recetën tradicionale dibrane të tavës së jufkave me pulë si dhe përgatitjen e vet jufkave në shtëpi.

Tava e Jufkave me Pulë

Përbërësit

(Përbërësit e kësaj recete janë për 4-5 persona)

  • 1 pulë e vogël
  • 1 kokërr qepë
  • 400 gr jufka
  • Dy lugë gjelle gjalpë ose katër lugë vaj ulliri
  • Kripë

Përgatitja

Pastrojmë me ujë të rrjedhshëm pulën dhe e vendosim në një tenxhere me ujë dhe kripë që të zjejë për jo më shumë se 20 minuta.

Qërojmë qepën dhe e grijmë shumë hollë. Në një tigan hedhim gjalpin ose vajin e ullirit dhe shtojmë qepët duke i kavërdisur derisa volumi i tyre të bjerë.

Më pas shtojmë jufkat dhe i kavërdisim gjithashtu përreth 4-5 minuta.

Pasi kanë marrë një ngjyrë të artë i heqim nga zjarri dhe shtrojmë në tavë, vendosim copat e pulës së prerë sipër.

Shtojmë lëngun e pulës derisa jufkat të mbulohen, i spërkasim me pak gjalpë dhe i fusim në furrë të ngrohur më parë duke i lënë të piqen përreth 15 minuta derisa lëngu i pulës të ketë shteruar.

Receta e Jufkave

Më poshtë do të gjeni një recetë të thjeshtë e të lehtë për gatimin e jufkave në shtëpi.

Përbërësit:

  • 7 të verdha veze
  • 1 vezë e plotë
  • 1 kg miell
  • Qumësht

Përgatitja:

Përzieni miellin me vezët dhe shtoni qumësht deri sa brumi të zihet siç duhet.

Qumështi duhet hedhur ngadalë për aq sa ka nevojë formimi i brumit.

Pasi brumi të jetë i njëtrajtshëm, futeni në një enë, mbështilleni me napë dhe lëreni të vijë për një orë.

Pasi brumi të ketë ardhur, filloni formoni kuleçë të vegjël.

Hapja e kuleçëve është një proçes që mund të bëhet më i lehtë duke përdorur niseshte.

Petat e hapura duhet të jenë të mëdha, në të njëjtat përmasa të tepsive.

Secila prej petave të hapura duhet vendosur mbi një copë të pastër për tu tharë.

Nuk duhet ta teproni me tharjen, sepse më pas prerja e shiritëve do të vështirësohet.

Pas tharjes, secila prej petave duhet rrumbullakosur si rulo dhe prerë hollë.

Fijet e formuara mund t’i shpurpurisni dhe t’i vendosni mbi copat e pastra e të mëdha për t’u tharë.

Pasi të jenë tharë plotësisht, jufkat duhen vendosur në qese ose kuti.

Jufkat mund t’i përgatisni shumë thjesht sipas recetave të ndryshme që përdoren për gatimin e makaronave./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.