BE – Shqipëri, Partnerë Së Bashku Kundër Korrupsionit

634 1

Dy janë bazat kryesore të një qeverisjeje të mirë: Transparenca dhe pjesëmarrja e publikut në vendimmarrje.

Janë pikërisht këto dy tregues që lidhen ngushtë me nivelin e korrupsionit të një vendi. Sa më shumë transparencë, aq më pak korrupsion.

Sipas Open Budget Index (OBI), Shqipëria ka një rezultat të transparencës buxhetore 38 nga 100, mesatarisht më i ulët krahasuar me vendet e tjera në Ballkan.

Raporti i OBI 2015 tregon se “ofrimi i mundësive të Shqipërisë të pjesmarrjes se publikut është i dobët”.

Partnerë së Bashku Kundër Korrupsionit

Një projekt i financuar nga Bashkimi Evropian e që do të zbatohet nga Organizata e konsulencës së biznesit Creative Business Solutions (CBS), ka përzgjedhur Peshkopinë si Bashkinë ku do të zbatohet monitorimi i performancës dhe ndërgjegjësimi komunitar për pjesëmarrje.

Projekti në kuadër të PACT (www.pact.org.al), Partnerë së Bashku Kundër Korrupsionit, konsiston në rritjen e ndërgjegjësimit dhe përfshirjen e komunitetit të Bashkisë Peshkopi në rrethin e Dibrës për t’u informuar mbi transparencën e shpenzimeve publike.

Projekti, që do të zgjasë 6 muaj, synon nxitjen e bashkëpunimit midis bashkisë dhe qytetarëve nëpërmjet monitorimit aktiv të performancës së Bashkisë dhe marrjes me lehtësi të informacionit mbi shpenzimet publike dhe planet e investimeve.

Creative Business Solutions (CBS) do të zbatojë projektin “Monitorimi i Performancës së Bashkisë Dibër dhe Ndërgjegjësimi Komunitar për Pjesëmarrje” i cili mbështetet në kuadër të projektit PACT të financuar nga Bashkimi Evropian, Delegacioni në Shqipëri dhe zbatuar nga ANTTARC.

Sektori ku do të përqëndrohet projekti do të jetë mbikëqyrja e performancës së shpenzimeve publike të Bashkisë Peshkopi.

Çfarë parashikon projekti i BE që do të realizohet nga Creative Business Solutions (CBS)?

Përmes një pyetësori ku do të përfshihen 650 individë, projekti synon të përcaktojë përceptimin publik mbi aktivitetin e bashkisë për të cilët banorët dhe bizneet e zonës kanë interes të lartë.

Një strategji e mirë planifikuar do të përfshijë fushata që synojnë rritjen e ndërgjegjësimit të publikut dhe nxitjen e një diskutimi të hapur publik në lidhje me atë nëse shpenzimet e qeverisë janë në përputhje me prioritetet dhe pritjet e përgjithshme të banorëve të zonës.

Do të propozohet një zgjidhje efektive e cila do t’i japë mundësi banorëve të bashkisë Peshkopi të përfitojnë informacionin e nevojshëm në mënyrë koherente dhe të vazhdueshme, përfshirë të dhënat mbi shpenzimet publike vendore si dhe të ardhurat e bashkisë nga taksat lokale apo grandet.

Projekti do të krijojë mundësinë për të risjellë në vëmendje e bashkisë, nevojën që komuniteti ka për të ofruar një informacion të plotë, të detajuar dhe të përditësuar.

Me qëllim nxitjen e debatit publik dhe shfrytëzimin e medias sociale si kanal komunikimi, kjo ndërhyrje do të krijojë transparencë mbi rezultatet e anketimit të saj.

Objektivat dhe Pritshmëritë

Objektivi i këtij projekti mbështet mbi tre shtylla kryesore: Ndërgjegjësim, Bashkëpunim dhe Transparencë.

Ky projekt synon të përmbushë disa objektiva specifike sic janë:

  • Të rrisë kapacitetet e organizatave të shoqërisë civile mbi çështje të llogaridhënies mbi transparencën e shpenzimeve publike në Bashkinë Peshkopi;
  • Të kryejë monitorim efektiv mbi shpenzimet publike dhe perceptimin publik
  • Të sigurojë transparencë në mënyrën e qeverisjes dhe shpenzimeve lokale të Bashkisë Peshkopi;
  • Të incentivojë debatin publik duke ndikuar në sjelljen e publikut për përfshirje dhe kërkesë për informacion dhe të lehtësojë informimin publik.

Një nga synimet kryesore është edhe rritja e kapaciteteve në rolin monitorues të organizatave të shoqërise civile dhe individëve në qytetin e Peshkopisë me synim vendosjen e mekanizmave për të monitoruar shpenzimet publike dhe nxitjen e aktiviteteve përfshirëse.

Rezultat i përgjithshëm i kësaj ndërhyrje pritet të jetë aktivizimi gjithëpërfshirës i aktorëve të shoqërisë, përmirësimi i përformancës së bashkisë në rritjen e transparencës së institucionit.

Kjo, pasi e drejta për t’u informuar është veprimi më i drejtë që garanton një qeverisje më të mirë./AgroWeb.org

Read this news in English

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.