ProCredit Bank Investon në Impiant Fotovoltaik për Prodhimin e Energjisë Elektrike për Zyrat e Saj Qendrore

700 0

Një përbërës thelbësor në misionin e zhvillimit të të gjithë grupit ProCredit, është mbrojtja e mjedisit dhe promovimi i zhvillimit ekonomik i cili është ekologjikisht i qëndrueshëm.

ProCredit Bank Shqipëri ka përshtatur plotësisht Sistemin e Menaxhimit Mjedisor, i cili është një sistem gjithëpërfshirës i përbërë nga tre shtylla kryesore, që synon reduktimin e ndikimit negativ direkt dhe indirekt në mjedis.

Në këtë mënyrë, ProCredit Bank Shqipëri ka luajtur dhe vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm për rritjen e ndërgjegjësimit mjedisor ndaj punonjësve të vet, klientëve si dhe publikut të gjërë.

Në këtë kuadër vijnë edhe investimet më të fundit “Green” që banka sapo ka kryer:

Impianti për prodhimin e energjisë elektrike nëpërmjet paneleve fotovoltaike në godinën e Zyrave Qendrore dhe makinave elektrike për lëvizjen e stafit. 

Energjia e prodhuar nga sistemi fotovoltaik përllogaritet të jetë rreth 25.500 kWh/vit dhe të sjellë reduktim të CO2 me rreth 15.4 ton/vit dhe sipas metodologjisë së zhvilluar nga Agjensia Amerikane e Mbrojtjes së Mjedisit është ekuivalente me 395 pemë të mbjellura ne vit në zonat urbane. E gjithë energjia e prodhuar do të përdoret për plotësimin e nevojave të vetë godinës së Zyrave Qendrore që janë në pronësi të bankës ProCredit.

Investime të tilla, reduktojnë ndjeshëm faturën e energjisë elektrike për familjet dhe bizneset që do të instalojnë panele diellore pasi tani mund të shndërrohen edhe në prodhues energjie duke siguruar energji elektrike për vetë konsum me kosto shume herë më të lirë se rrjeti publik duke shfrytëzuar energjinë e rinovueshme.

Adela Leka, Drejtoreshë e Përgjithshme e bankës ProCredit, u shpreh se:

“Jemi të lumtur që ProCredit Bank Shqipëri është institucioni i parë financiar që ndërmerr këtë nisëm duke treguar angazhimin tonë ndaj mbrojtjes së mjedisit. Këto investime jo vetëm ndikojnë në përmirësimin e efiçencës së bankës sonë, por edhe në promovimin e këtyre investimeve në komunitetin që na rrethon.

Përveç avantazheve të drejtpërdrejta, si reduktimi i ndikimit negativ në mjedis, diversifikimi i burimeve të energjisë dhe rritjes së efikasitetit, ne synojmë të japim edhe një shembull pozitiv tek klientët dhe partnerët tanë. Rritja e ndërgjegjësimit ndaj çështjeve mjedisore dhe nxitja e investimeve efiçente dhe miqësore me mjedisin janë pjesë integrale dhe fokus i institucionit tonë”.

I pranishem në takim ishte Kryetari i Bashkisë Tiranë, Z.Erion Veliaj, i cili përshendeti këtë iniciativë dhe bëri thirrje që ky shembull të ndiqet jo vetëm nga institucionet shtetërore, por edhe nga bizneset dhe familjarët.

“Mezi pres që ashtu si shumë qytetarë apo institucione kopjuan bashkinë me tarracat e gjelbra, ashtu të kopjojnë bankën, për të pasur tarracat solare. Sot kostot kanë rënë, ndaj si për institucionet, si për bizneset, edhe për familjarët, është mënyra më e mirë për të siguruar një pjesë të madhe të energjisë nga ajo diellore”.

Banka ka investuar në mënyrë të vazhdueshme në rinovimin e Njësive të Biznesit dhe Zyrave Qendrore duke investuar në teknologji bashkëhore të tilla si sisteme të ajrit të kondicionuar inverter, ndriçim LED, dhe të tjera sisteme efikase të energjisë etj.

Qëllimi i masave të sipërpërmendura dhe i investimeve të ardhshme, është përmirësimi i cilësisë së shërbimit ndaj klientëve të bankës, sigurimi i kushteve të punës më të rehatshme për personelin e saj, si dhe kontribut të drejtpërdrejtë në mbrojtjen e mjedisit.

Për më tepër, angazhimi i bankës ProCredit në krijimin dhe implementimin e një sistemi të plotë për menaxhimin mjedisor u rikonfirmua dhe nga certifikimi me standardin ndërkombëtar ISO 14001:2015./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.