Tavë me Patate dhe Hudhra të Pjekura në Furrë

7.4k 0

Patatet e pjekura në furrë janë garnitura perfekte e shumë gatimeve të mishit dhe jo vetëm.

Ato kombinohen shumë mirë edhe me sallata të ndryshme jo vetëm barishtesh por edhe perimesh dhe salcë kosi.

Pjekja në furrë e patateve ruan vlerat shëndetësore të saj por është edhe e lehtë në përgatitje dhe servirje.

Për recetën e rekomanduar nga AgroWeb.org ju mund të përdorni patate me ose pa lëkurë.

Megjithatë, duke marrë në konsideratë faktin se lëkura e patates përmban vlerat më të mëdha, është e udhës që patatet t’i piqni me gjithë lëkurë.

Sasia e hudhrës që mund të përdorni për këtë recetë është e gjitha në varësi të preferencës suaj.

Sa i përket kripës, ju mund të përdorni kripën e bardhë, kripë të trashë ose kripë Himalajesh.

Nëse nuk ju pëlqen majdanozi mund të përdorni trumzë, borzilok apo rozmarinë të freskët.

Erëzat e mësipërme u japin patateve një shije dhe aromë shumë të mirë.

Përbërësit

  • 1 kilogramë patate të prerë në kubikë
  • 2 lugë gjelle me vaj ulliri ekstra të virgjër
  • 1 lugë çaji me kripë
  • Treçerek luge caji me piper të zi
  • 2 lugë gjelle me hudhër të grirë hollë ose 8 thelbinj hudhër
  • 2 lugë gjelle me majdanoz të freskët të grirë hollë

Përgatitja

Ndizeni furrën në 200 °C.

Lyejeni tepsinë që do të përdorni me pak yndyrë.

Vendosini kubikët e patateve në tepsi dhe spërkatini me vaj ulliri, kripë, piper dhe hudhër.

Përziejini mirë me lugë druri ose me duar që të siguroheni që patatet janë kriposur në mënyrë të njëtrajtshme.

Futeni tepsinë në furrë dhe piqini patatet për 45 minuta ose një orë.

Gjatë kësaj kohe rrotullojini patatet rregullisht deri sa të piqen në mënyrë të njëjtrajtshme e të marrin ngjyrë të artë.

Pasi të jenë pjekur, hiqini patatet nga furra dhe spërkatini me pak kripë dhe piper shtesë.

Mos hezitoni të shtoni edhe majdanoz nëse ju ka mbetur apo edhe djathë parmixhano të grirë hollë dhe servirini të ngrohta./AgroWeb.org