Pasigurisë Ushqimore Në Shqipëri i Vjen Fundi – BE në Aksion

769 0

Pa siguri ushqimore nuk ka anëtarësim në Bashkimin Europian. Ekspertët më të mirë europianë nga Irlanda dhe Finlanda mbërrijnë në Shqipëri për të nisur projektin e rëndësishëm për konsumatorët shqiptarë, atë të garantimit të sigurisë ushqimore.

Irlanda vlerësohet si vendi i parë në Europë dhe i dyti në botë për ekspertizën dhe nivelin e lartë të standardeve për sigurinë ushqimore.

Bashkimi Europian prezantoi programin e ri, me një fond prej 5 milionë eurosh “Mbështetje për Sigurinë e Ushqimit, Standardet Veterinare dhe Fitosanitare.

Projekti udhëhiqet nga Autoriteti i Sigurisë Ushqimore të Irlandës (FSAI) dhe përfshin Departamentin e Bujqësisë, Ushqimit dhe Detare. Partnerë të tjerë janë Autoriteti Finlandez i Ushqimit dhe partneri shqiptar, Creative Business Solutions. Foto: AgroWeb.org

Programi do të realizohet dhe mbikqyret  nga një ekip eksperësh të organeve publike nga Shtetet Anëtare të BE-së, i udhëhequr nga Autoriteti i Sigurisë Ushqimore i Irlandës.

Pjesë e këtij ekipi është gjithashtu Autoriteti i Sigurisë Ushqimore të Finlandës, Departamentin e Bujqësisë, Ushqimit dhe Marinës të Irlandës, si dhe CBS Creative Business Solutions në Shqipëri.

Projekti u prezantua nga Ambasadori i BE në Shqipëri, z.Luigi Soreca, ku të pranishëm ishin Ministri i Bujqësisë i Shqipërisë, z.Bledi Çuci, Ministrja e Shtetit për Çështjet Europianë të Irlandës, znj, Helen McEntee, Sekretari i Shtetit i Finlandës, z.Samuli Virtanen dhe Drejtoresha e Autoritetut të Sigurisë Ushqimore të Irlandës, Pamela Byrne, e cila do të jetë edhe autoriteti kryesor që do të drejtojë projektin në Shqipëri.

Irlanda dhe Finlanda, si shtete anëtare të BE-së kanë ndërtuar përvojë të jashtëzakonshme dhe ekspertizë në zhvillimin dhe rregullimin e agroushqimit. Foto: AgroWeb.org

Ky program ambicioz do garantojë qytetarët shqiptarë të përfitojnë nga i njëjti nivel i sigurisë ushqimore që gëzohet nga qytetarët brenda BE-së.

Për 4 vjet, Irlanda dhe Finlanda do ta ndihmojnë Shqipërinë të forcojë sigurinë ushqimore dhe sistemin e saj veterinar, duke përfshirë në çdo hap edhe konsumatorët.

Ambasadori i BE, Soreca tha se: “Projekti që po prezantojmë sot do ta sjellë Shqipërinë edhe më pranë standardeve të BE-së.

Ai do të përmirësojë jetën e përditshëm dhe shëndetin e shqiptarëve.

Ai do të kontribuojë edhe për hapjen e tregut të BE-së për produktet shqiptare.

Legjislacioni ynë është shumë i qartë në lidhje me këtë – artikujt ushqimorë nuk mund të importohen nëse nuk respektojnë integritetin e zinxhirit ushqimor të BE-së.”

Duke vlerësuar rëndësinë e këtij projekti, Ministrja e Shtetit për Çështjet Europiane të Irlandë, Helen McEntee tha: “Ky është një bashkëpunim i rëndësishëm midis Shqipërisë dhe dy Shteteve Anëtare të BE-së – Irlandës dhe Finlandës – me mbështetje financuese nga Bashkimi Evropian.

Ky është një shembull i shkëlqyer i Bashkimit Evropian në veprim, me anëtarët e BE-së që mbështesin një vend kandidat për të harmonizuar ligjet dhe rregulloret e tij me normat evropiane dhe duke ndihmuar për krijimin e një kulture të sigurisë ushqimore që përputhet me shembujt më të mirë në botë.”

Ministri Shqiptar i Bujqësisë, Bledi Çuçi vlerësoi se ky është vetëm fillimi i një transformimi rrënjësor që duam të bëjmë në kontrollin e të gjitha hallkave të zinxhirit ushqimor.

“Implementimi i këtij projekti përmes asistencës së Autoritetit të Sigurisë Ushqimore në Irlandë dhe homologëve finlandezë, dy prej institucioneve më prestigjoze në Europë dhe jo vetëm, është një garanci e madhe për të çuar aty ku duhet standardet e sigurisë ushqimore në vendin tonë.

Riformatimi i AKU-së në një Njësi Inteligjente, Ligji i ri për Shërbimin Veterinar dhe zbatimi i këtij projekti, besoj fort se do të na japin rezultate impresionuese për të gjithë” u shpreh ministri Çuçi.

Në fjalën, e saj, Drejtoresha e Autoritetit të Sigurisë Ushqimore të Irlandës, Pamela Byrne, e cila do të jetë edhe autoriteti kryesor që do të drejtojë projektin në Shqipëri u shpreh se ky projekt ka të bëjë me ndarjen e njohurive dhe ekspertizës.

Nga e majta në të djathtë – Ministri Çuçi, Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca, Helen McEntee, Ministri i Shtetit për Çështjet Evropiane të Irlandës dhe Dr Pamela Byrne, CEO, FSAI – Foto: AgroWeb.org

“Besoj se kjo është një përgjegjësi shumë e rëndësishme, si dhe një mundësi për të krijuar marrëdhënie të reja politike dhe të biznesit në të ardhmen.

Prandaj, mirëpres për mënyrën e krijimit të këtij projekti – me theks në ndërgjegjësimin e publikut dhe industrisë, si dhe në aspektin teknik, ligjor dhe organizativ.

Krijimi i një sistemi ushqimor modern dhe konkurrues është një përgjegjësi sfiduese e cila kërkon vite pune dhe kërkon një përpjekje të vazhdueshme nga qeveria, agjencitë, industria ushqimore, fermerët dhe përfaqësuesit e tyre.

Gjithashtu duhet të nxitet nga vetëdija e konsumatorit. Detyra e integrimit të pikëpamjeve dhe ambicjeve të aktorëve të shumtë kërkon bashkëpunim dhe komunikim të forte”. u shpreh Byrne.

Irlanda dhe Finlanda vazhdimisht janë radhitur në mesin e shembujve kryesorë në botë për sigurinë dhe mbrojtjen ushqimore.

Në kuadrin e projektit ato do ta sjellin këtë përvojë në Shqipëri për të forcuar sigurinë e saj ushqimore, sistemet veterinare dhe fitosanitare në përputhje me standardet e BE-së./AgroWeb.org