Buka e Shtëpisë – Receta e Shijshme nga Këngëtarja e Njohur, Nertila Koka

664 0

Melodia dhe zëri i saj kanë ndjekur ëmbël shqiptarët për vite me rradhë.

Por këngëtarja e famshme shqiptare, Nertila Koka nuk ka pasion vetëm këngën.

Një pasion tjetër i saj është gatimi.

Me një recetë fantastike nga Nertila Koka, AgroWeb.org nis një cikël të ri publikimesh të recetave të preferuara nga personalitetet më të njohura e popullorë për gjithë shqiptarët.

Në publikimet në javët në vijim, do të ndiqni recetat fantastike që personazhet më të dashura të jetës publike në Shqipëri gatuajnë në tryezat e tyre.

Sot, AgroWeb.org ka përzgjedhur një recetë të shijshme, të përgatitjes së bukës së shtëpisë sipas mënyrës së veçantë të këngëtares Nertila Koka.

“Një recetë që unë e kam shumë për zemër: përgatitja e bukës. E kam zgjedhur këtë recetë pasi është shumë e rëndësishme për tavolinën tonë.

Bukën e konsiderojmë si babain e tavolinës, dhe këtë nuk e themi kot, apo jo? Dhe për dy arsye të tjera, që është shumë e thjeshtë për t’u bërë dhe është shumë shumë e shijshme” shprehet Nertila Koka në një video-recetë publikuar prej saj.

Receta e bukës së shtëpisë, përgatitur nga këngëtarja e njohur, Nertila Koka.

Për përgatitjen e bukës na nevojiten

400-420 g miell (3 gota uji)

7g kripë (1 lugë kafeje)

4 g maja (pak më shumë se gjysmë luge kafeje)

14 g fara susami dhe lini (ose mund të përdorni erëzat tuaja të preferuara si për shembull rozmarina ose rigoni)

300 ml ujë i nxehtë jo të zierë

një letër për pjekje

një tenxhere hekuri me kapak por kujdes të mos jetë me doreza plastike pasi do të shkrihet

Përgatitja dhe udhëzimet nga këngëtarja Nertila Koka

Në një tas kemi hedhur miellin dhe më pas shtojmë kripën dhe majanë e bukës.

Me ndihmën e një luge apo spatule kuzhine i trazojmë pak përbërësit dhe hedhim dhe farat e susamit dhe të linit.

Dhe në fund shtojmë ujin e nxehtë, jo i përvëluar dhe as i ftohtë, por i nxehtë.

Punojmë përbërësit me spatul derisa të formohet brumi i bukës dhe përbërësit të jenë lidhur plotësisht.

Mos u shqetësoni për brumin nëse ju del më i butë se brumi i bukëve të tjera.

Brumin do ta lëmë të qëndrojë përreth tre orë, që të dyfishojë masën e tij.

Tasin e mbulojmë me një qese kuzhine dhe mbetet vetëm të presim.

Pas tre orësh brumi do të jetë fryrë dhe gati për t’u pjekur.

Siç do ta shikoni brumi nuk do të jetë i fortë, prandaj do duhen vetëm 20 g miell sa për të lyer duart kur ta punojmë që mos të ngjitet.

E vendosim brumin e bukës në një tas ku kemi vendosur letrën e kuzhinës.

Ndërkohë tenxheren e vendosim bosh në furrë për 30 minuta me 230 gradë celsius sa presim brumin që të fryhet.

Nxjerrim tenxheren nga furra, por tregoni kujdes se mos digjeni.

E kalojmë brumin siç është me letrën e kuzhinës në tenxhere dhe e mbyllim me kapak.

Vendoseni në furrë dhe përreth 30-35 minuta duhet të piqet me kapak.

Pas 35 minutash, gjithmonë në varësi të furrës, hiqni kapakun dhe lëreni në furrë dhe për 15-20 minuta të tjera.

Pasi të ketë kaluar koha e nevojitur hiqeni bukën nga tenxherja dhe vendoseni në një vend për t’u ftohur.

Është e këshillueshme që të lihet përreth 20 minuta që të ftohet plotësisht e më pas ta prisni për ta konsumuar.

Për të ndjekur video-recetën klikoni këtu/AgroWeb.org