Petulla të Fshira me Spinaq dhe Gjizë – Receta e Re Plot Shije

1.5k 0

Sekreti i përgatitjes së krepave si një vakt i plotë dhe që të ngop qëndron tek mbushja.

Sigurisht që kur i përgatisim për mëngjes preferojmë t’i shoqërojmë me djathë, mjaltë apo reçel.

Zakonisht parapëlqejmë të përgatisim recetën tradicionale të petullave të fshira me djathë e hudhër.

Shija e traditës nuk ka të krahasuar, por AgroWeb.org ju sugjeron t’i jepni një shans kësaj recetë të shëndetshme.

Mbushja e kësaj recete i ngjason asaj të byrekut klasik me petë, që është diçka shumë e njohur për amvisat shqiptare.

E ndërsa përgatitja e petullave të fshira kërkon vetëm pak kohë.

Por mundi ia vlen në fund ju premtojmë.

Përbërësit për petullat e fshira

  • 1 gotë me ujë
  • 1 gotë me qumësht
  • 4 vezë
  • Gjysmë luge çaji me kripë
  • 1 gotë e gjysmë uji me miell
  • 1 lugë gjelle me gjalpë të shkrirë
  • Vaj ose gjalpë për skuqje

Përbërësit për mbushjen

  • 600 g spinaq
  • 4 vezë
  • 150g djathë i bardhë i thërrmuar
  • 200 g gjizë pa kripë
  • 100g salcë kosi
  • 1 lugë çaji me kripë

Përbërësit e Salcës

  • 3-4 vezë
  • 150g kos

Përgatitja

Në një tas mesatar përzieni të gjithë përbërësit e petullave të fshira.

AgroWeb.org ju këshillon që të përdorni një tel kuzhine që mos ju krijohen kokrriza.

Ndërkohë keni vendosur një tigan në zjarr të lyer me pak gjalpë.

Merrni pak brumë me garuzhde dhe përhapeni mirë në të gjithë sipërfaqen e tiganit.

Kur të jetë skuqur, kthejeni nga ana tjetër dhe lëreni që të marrë ngjyrën e artë karakteristike.

Zakonisht skuqja e një krepi kërkon 1-2 minuta gjithsej.

Përsërisni këto hapa derisa të keni mbaruar plotësisht brumin e përgatitur.

Do të keni përgatitur rreth 11-13 krepa.

Tani, AgroWeb.org ju këshillon që të nisni përgatitjen e mbushjes me spinaq.

Në një tas hidhni spinaqin e grirë hollë, vezët, djathin, gjizën, salcën e kosit dhe kripën.

Përzjejini me një lugë derisa të formohet një masë e plotë kremoze.

Nëse e shikoni që është shumë e thatë, AgroWeb.org ju sugjeron që të shtoni 2 lugë kos.

Ky është momenti që të ndizni furrën në 200 gradë.

Lyeni një tavë të rrumbullakët me vaj ulliri ose gjalpë. Mos harroni anët e saj.

Shtroni një krep dhe më pas 2-3 lugë gjelle nga mbushja duke e përhapur mirë.

Vazhdoni kështu derisa në fund të keni lënë një krep të pa mbuluar.

Në një tas të vogël përzieni vezët dhe kosin, derisa të krijoni një salcë.

Nëse dëshironi më shumë shije mund t’i hidhni 2 thelpinj hudhër të shtypur.

Këtë salcë hidhjani sipër krepave.

Futeni në furrë tavën dhe piqeni për 15-20 minuta.

Ose derisa të shikoni që salca të jetë pjekur dhe spinaqi të jetë zbutur.

Pasi ta largoni nga furra lëreni pak të ftohet dhe shërbejeni./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.