Bëni Kujdes – Autoritetet Në Alarm Për Përmbytje Masive Në Gjithë Shqipërinë

434 0

Ditët e fundit një mot i pazakontë me rreshje intensive, të pandalshme shiu, rrebeshe e stuhi ka përfshirë gjithë vendin.

Si pasojë e kësaj situate shumë zona të vendit janë nën kërcënimin e përmbytjeve dhe problemeve të tjera të shkaktuara nga vërshimi i ujit.

Autoritetet e alarmuara u kanë bërë thirrje qytetarëve për kujdes ndërsa deklarojnë se kanë marrë të gjitha masat për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve dhe për të minimizuar dëmet që mund të shkaktohen.

Policia Rrugore në një thirrje të saj bën apel për kujdes në evitimin e aksidenteve të mundshme rrugore.

Ministria e Energjetikës deklaron se bashkë me institucionet e varësisë është në gatishmëri të plotë për të përballuar situatat që mund të krijohen nga moti i keq i ditëve të ardhshme.

Paralajmërimi i Ministrisë së Energjetikës për rreshje intensive dhe shtrëngata  

Nisur nga raportet e Qendrës Kombëtare për Parashikimin dhe Monitorimin e Rreziqeve Natyrore, të cilat flasin për një mot shumë të vështirë, me reshje të dendura, erë të fortë dhe rreziqe për përmbytje në tre ditët në vijim, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe institucionet e saj të varësisë kanë kaluar në gjendje gadishmërie të plotë.

“Sipas parashikimeve priten reshje shumë intensive (më shumë se 90 mm/ 24 orë) në pothuajse të gjithë territorin, gjatë gjithë ditën e enjte. Reshjet do të shoqërohen me shtrëngata në të gjithë vendin.

Ditën e premte, datë 8 nëntor, pritet një rënie e intensitetit të reshjeve në të gjithë vendin, të cilat do të  arrijnë nivelin 45-90 mm/24 orë, ndërsa ditën e shtunë datë 9 nëntor priten reshje të dobëta në të gjithë vendin 15mm/24 orë” thuhet në reagimin e Ministrisë së Energjetikës.

Parashikimet Meteorologjike

Nga llogaritjet hidrologjike të IGJEUM-it, rezulton se për shkak të intensitetit të lartë të reshjeve do të rritet rreziku për përmbytje vërshuese në të gjithë vendin.

“Në këto kushte të gjitha institucionet e varësisë së MIE janë duke marrë masat e duhura për të siguruar shërbimet bazë ndaj qytetarëve si dhe për t’u ardhur atyre në ndihmë në çdo rast që do të kenë nevojë.

Autoriteti Rrugor Shqiptar, së bashku me kompanitë kontraktore të mirëmbatjtes së rrugëve po monitoron pa ndërprerje situatën, për të ndërhyrë në çdo rast të bllokimit të mundshëm të rrugëve, si nga vërshimi i ujit, ashtu edhe nga rënia e inerteve në rrugë.

Ndërkohë që institucionet e sistemit energjetik, OST, OSHEE dhe KESH janë vënë në gadishmëri për të ndërhyrë në çdo rast që do të ketë stakime apo dëmtime të linjave të furnizimit me energji elektrike.

Në gatishmëri janë edhe Aviacioni Civil si dhe Portet detare të vendit, të cilat që gjatë ditës së sotme janë përballur me situata të vështira, për shkak të detit të trazuar dhe me shumë ballë” vijon MIE në reagimin e saj, të cilës i referohet AgroWeb.org.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë fton qytetarët që për çdo rast rreziku apo vështirësie të njoftojnë përmes numrit unik të emergjencave 112, si dhe numrave përkatës të strukturave:

OSHEE           04 227 41 41

ARRSH           067 39 82 866

DPSHTRR      068 80 15 833