Fondet për Bujqësinë, Si Mund Të Përfitohen Financime për Biznesin Tuaj

387 0

Këshilli i Ministrave vendosi përcaktimin e kritereve bazë të sektorëve që do të mbështeten dhe të masës së financimit nga fondi i programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural, për vitin 2020.

Në vendim thuhet se,“fondi i miratuar në buxhetin e vitit 2020 për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, zëri “Transfertë në buxhetet familjare” (llogaria ekonomike 606),

do të përdoret për rritjen e konkurrueshmërisë së prodhimeve blegtorale, të prodhimeve bujqësore në mjedise të mbrojtura dhe uljen e kostove të prodhimit,

nëpërmjet pagesave të kafshëve të matrikulluara e subvencionimit të çmimit të plastmasës;

shtimin e sipërfaqeve të mbjella me bimë mjekësore dhe aromatike; certifikimin e produkteve bujqësore dhe fermave organike; mbështetjen e diversifikimit të aktiviteteve ekonomike në zonat rurale.

Masa e financimit

Masat e mbështetjes dhe masa e financimit nga fondi i programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural janë për tufën bazë të matrikulluar (kafshët riprodhuese),

për fermat me jo më pak se 70 (shtatëdhjetë) krerë dele dhe/ose dhi, në vlerën 1 200 (njëmijë e dyqind) lekë/krerë,

por jo më shumë se 360 000 (treqind e gjashtëdhjetë mijë) lekë për subjekt,

ndërsa për fermat me jo më pak se 5 (pesë) krerë lopë, në vlerën 10 000 (dhjetë mijë) lekë/krerë, por jo më shumë se 500 000 (pesëqind mijë) lekë për subjekt;

Mbarështim i bletarisë me 1 000 (një mijë) lekë për zgjua, për ferma me jo më pak se 50 (pesëdhjetë) zgjoje, por jo më shumë se 150 000 (njëqind e pesëdhjetë mijë) lekë për subjekt;

Zëvendësimi i plastmasës termike për serrat diellore ekzistuese për prodhimin e perimeve, rrushit për tavolinë dhe tunelet plastike për prodhimin e luleshtrydhes në vlerën respektive 300 000 (treqind mijë) lekë/ha dhe 100 000 (njëqind mijë) lekë/ha, por jo më shumë se 500 000 (pesëqind mijë) lekë për subjekt.

Serat dhe mbjelljet 

Sipërfaqja e serrës apo e tunelit plastik të jetë jo më pak se 0.2 (zero pikë dy) ha. Përfitues janë subjektet, të cilat nuk mund të mbështeten nga programi IPARD II.

Mbjellje bimësh mjekësore e aromatike në vlerën 200 000 (dyqind mijë) lekë/ha, por jo më shumë se 1 000 000 (një milion) lekë për fermerët individualë dhe për grup fermerësh, ndërsa për shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor (në vijim, SHBB), jo më shumë se 4 000 000 (katër milionë) lekë.

Sipërfaqja e mbjellë për fermerët individualë duhet të jetë jo më pak se 0.2 (zero pikë dy) ha, për grup fermerësh, jo më pak se 1 ha në një bllok të vetëm, për SHBB-të, jo më pak se 5 (pesë) ha. Madhësia e ngastrës të jetë jo më pak se 0.2 (zero pikë dy) ha, kur nuk është në bllok.

Fermat organike, për periudhën në kalim, vitin e parë, në vlerën 100 000 (njëqind mijë) lekë, në vitin e dytë, 150 000 (njëqind e pesëdhjetë mijë) lekë dhe 200 000 (dyqind mijë) lekë për fermë të certifikuar.

 Certifikimi Global Gap

Implementimi dhe certifikimi Global GAP në masën 50 (pesëdhjetë) % të vlerës totale të faturës tatimore, por jo më shumë 175 000 (njëqind e shtatëdhjetë e pesë mijë) lekë, në perime, fruta, rrush, ullinj dhe agrume, në sipërfaqe jo më pak se 1 (një) ha.

Mbështetje për ngritjen ose rikonstruksionin e ambienteve për veprimtari të turizmit rural nga 6 (gjashtë) deri në 10 (dhjetë) dhoma, në 50 (pesëdhjetë) % të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 5 000 000 (pesë milionë) lekë për subjekt. Përfitues janë subjektet, të cilat nuk mund të mbështeten nga programi IPARD II.

Përfitues për masat e mbështetjes nga fondi i programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural do të jenë fermerët, personat fizikë, personat juridikë dhe SHBB-të.

Kriteret, procedurat dhe mënyra e administrimit të fondit të programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural përcaktohen me udhëzim të përbashkët të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural e të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.

Nga fondi i programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural, për vitin 2020, do të përdoret shuma deri në 10 174 000 (dhjetë milionë e njëqind e shtatëdhjetë e katër mijë) lekë, për pagesën e vlerës së palikuiduar, për subjektet e shpallura fituese nga Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural, në zbatim të vendimit nr. 128, datë 13.3.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve bazë të sektorëve që do të mbështeten dhe të masës së financimit nga fondi i programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural, për vitin 2019”, të ndryshuar.

Si dhe deri në 1 755 000 (një milion e shtatëqind e pesëdhjetë e pesë mijë) lekë detyrime, për pagesat e normës së interesave bankare për kontratat e lidhura.

Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural e Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi./Burimi: ATSH