Furnizimi me Ujë në Shqipëri – Çfarë Pritet Të Ndodhë

370 0

Problemet me furnizimin e ujit janë ende prezente në shumë nga qytetet e qarqeve të Shqipërisë.

Lajme të shumta të cilat raportojnë orët e zgjatura pa ujë janë bërë një realitet i përditshëm.

Sipas të dhënave që janë bërë publike nga Ministria e Infrastrukturës, tregojnë se furnizimi aktual i vendit me ujë shkon deri në 12 orë.

Kjo shifër vetëm për qytetet e mëdha, nëse flasim për fshatrat larg qendrave, rezultati ulet në tri orë.

Këto statistika tregojnë për një problem të thellë i cili ka mbetur i pandryshueshëm që nga viti 2013.

Pra për shtatë vitet e fundit nuk ka patur asnjë përmirësim për shkak të mungesës së investimeve në këtë sektor.

Në të gjithë vendin janë funksionale vetëm shtatë shoqëri të Ujësjellës-Kanalizimeve që furnizojnë familjet me ujë.

Investimet e Reja Për Furnizimin Me Ujë

Sipas të dhënave të Top Channel, për periudhën 2020-2030 Shqipëria ka nevojë saktësisht për 1 miliardë e 496 milionë euro investime, ose mesatarisht 150 milionë euro në vit.

Shqipëria duhet të investojë të paktën 1 miliardë e gjysmë euro në 10 vitet e ardhshme për të përmirësuar furnizimin me ujë dhe rrjetin kombëtar të kanalizimit.

Të dhënat janë bërë publike në strategjinë Kombëtare të sektorit ujësjellës kanalizimi, të përpiluar nga Ministria e Infrastrukturës.

Në strategjinë paraardhëse qeveria kishte vënë si objektiv që në vitin 2017, Shqipëria të furnizohej mesatarisht me 20 orë ujë në ditë.

Por ky objektiv ka dështuar për shkak të mungesës së investimeve.

Në strategji qeveria nënvizon se aktualisht 67 për qind e ujit që hidhet në rrjet humbet dhe nuk tarifohet duke mos sjellë të ardhura.

Synimi i strategjisë është që përmes investimeve, pjesa e ujit pa të ardhura të ulet deri në 40% brenda vitit 2030, ndërkohë që furnizimi me ujë të jetë mbi 20 orë në ditë në të gjithë territorin e vendit./AgroWeb.org