A Do të Kthehet Koronavirusi në Pandemi Botërore – OBSH Paralajmëron të Gjithë Shtetet

457 0

Prej më shumë se një muaj e gjysmë, bota po përballet me një lloj virusi të ri infektiv.

Koronavirusi u shfaq për herë të parë Dhjetorin e vitit 2019 në Vuhan, Kinë ndërsa tashmë është shpërndarë në 37 vende të botës.

Raste të virusit janë shpërdarë në shumë kontinete duke nisur që nga Amerika e deri në Evropë.

Ka rreth 80,252 raste deri më tani, teksa shifrat pritet të shtohen në orët në vijim nëse nuk tregohet kujdes.

Përvec Kinës dhe Koresë së Jugut, një nga vendet e tjera me më shumë të prekur është Italia.

Cilësohet si e treta në botë për nga numri i pacientëve dhe viktimave të virusit dhe është vendi i parë me këtë situatë emergjentë në Evropë.

Ekspertët parashtrojnë mundësinë e përhapjes së një pandemie, por nëse punohet shumë në këtë drejtim kjo mund të anashkalohet.

Kriza nga Koronavirusi COVID -19

Paralajmërimet e para për këtë virus në vendin tonë ka nisur në fillim të Janarit nga ISHP, teksa masat për parandalimit dhe evidentimin e tij janë shtuar dita ditës.

Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëron që njerëzit duhet të jenë sa më të kujdesshëm dhe mos të ngelizhojnë asnjë simptomë të kësaj sëmundje.

Drejtori i përgjithshëm i OBSH Tedros Adhanom, në një takim me mediat është shprehur se nëse nuk tregohet kujdes, bota do të përballet me një pandemi globale.

“Megjithëse mundësitë janë të vogla, ne kemi ende një mundësi të mirë për ta izoluar virusin”, u shpreh ai për mediat.

Ende nuk përshkruhet si një emergjncë pandemie globale, është e rëndësishme që e gjithë bota të përgatitet për një skenar të mundëshëm të këtij lloji.

Çfarë i shqetëson më së shumti ekspertët janë rastet pozitive ndaj koronavirusit edhe tek vende të largëta nga Kina, siç është Italia me 283 të prekur.

“Ajo çfarë po shohim sot janë epidemi të vogla në pjesë të ndryshme të botës, të cilat i prekin shtetet në mënyrë të ndryshme dhe reagimi duhet të jetë i ndryshëm për çdo rast”, u shpreh kreu i OBSH.

Nga ana tjetër shefi i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres, i bën thirrje të gjithë shteteve të bëjnë çdo gjë që kanë në dorë për ta luftuar këtë virus dhe të jenë të përgatitura për këtë problem botëror.

“Është ende e mundur kontrollimi i sëmundjes, por nëse disa dështojnë, nëse disa vende nuk bëjnë çdo gjë që është e mundur për të parandaluar dhe izoluar, situara mund të dalë jashtë kontrollit dhe pasojat do të jenë dramatike si në shëndetësinë globale ashtu edhe në ekonominë globale.”, u shpreh Guterres.

Teksa virusi në Kinë sipas OBSH ka filluar të zbehet, shqetësuese janë rastet e reja në Iran dhe Itali.

Çfarë është një pandemi botërore?

Një pandemi zhvillohet kur një sëmundje përhapet në popullsi më shumë nga shifrat normale.

Shpërndarja mbarë botërore e një sëmundje të re do të thotë pandemi botërore.

Kështu në rast pandemie shumica e njerëzve në botë është e ekspozuar ndaj një rreziku të caktuar.

Ndryshe nga epidemia e cila prek popullsi teë caktuara në kohe dhe vende të caktuara, pandemia përhapet në të gjithë botën.

Arsyeja se përse po diskutohet mundësia e përhapjes së një pandemie për këtë virus, është se mjekët nuk arrijnë shpesh të kuptojnë se si virusi është shpërndarë në skaje të largëta të globit.

Ekspertët shprehen se vendet dhe njerëzit duhet të tregohen të kujdesshëm dhe të qëndrojnë të përgatitur për tu mbrojtur nga ky virus.

Duke qenë se ende nuk ka një vaksinë për ta kuruar atë, është e rëndësishme që të shihen të gjithë masat parandaluese si nga qytetarët duke ruajtur higjenën ashtu edhe nga shtetet në të gjithë botën, shprehen ekspertët./AgroWeb.org