13 Raste të Dyshuar me Koronavirus në Shqipëri – A Jemi Afër Zbulimit të Një Vaksine

441 0

Ditën e djeshme në mbrëmje Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale informoi se në Shqipëri ishte kryer testimi i parë për rastet e dyshuara për koronavirus.

Sipas deklaratës zyrtare nga ky institucion, u pohua se nga pesë rastet e paraqitura, asnjë prej tyre nuk mbarte virusin COVID-19.

Deri më tani rezulton se në Shqipëri ka pasur 13 raste të dyshuara, të cilët kishin histori udhëtimi në vendet e prekura me këtë virus.

Gjithsesi, ende nuk ka asnjë rast të konfirmuar me koronavirusin COVID-19.

Një nga shqetësimet që Ministria dhe taskforca kanë ngritur është evidentimi i personave që kanë udhëtuar së fundmi.

Edhe pse nëpër aeroportet ndërkombëtare ata kanë kaluar në kontrollet, simptomat e këtij virusi fillojnë të shfaqen pas 2-3 javësh.

Ndaj edhe është shumë e rëndësishme që të gjithë udhëtarët të kontaktojnë numrin  Urgjencës Kombëtare 127, në rast se ndjejnë vështirësi në frymëmarrje.

Simptomat e Para të Koronavirusit COVID-19

Sipas ekspertëve të ISHP të cilëve i’u referohet AgroWeb.org, simptomat varen nga lloji i koronavirusit, por shenjat më të zakonshme janë problemet me aparatin e frymëmarrjes.

Ky virus shkakton ethe, kollë, gulçim dhe vështirësi te vazhdueshme në frymëmarrje.

Në raste më të rënda, infeksioni mund të shkaktojë pneumoni, sindromë të rëndë respiratore akute, insuficiencë të veshkave, madje edhe vdekje” thuhet në lajmërimin e ISHP.

A Jemi Afër Zbulimit të Një Vaksine?

Nga ana tjetër është raportuar nga mediat ndërkombëtare se një kompani farmaceutike në Cambridge, Massachusetts, ka deklaruar se është afër zbuluar vaksinën e parë kundër Koronavirusit.

Sipas të dhënave që AgroWeb.org ka verifikuar, kjo vaksinë duket se do të fillojë të testohet tek njerëzit.

20-25 individë të shëndetshëm kanë dalë vullnetarë që në prill të ndihmojnë Institutin Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive (Nih) për të vërtetuar a janë të sigurta.

Ekspertët presin që vaksina të nxisë trupin të reagojë me një përgjigje imune, që mund të mbrojë organizmin nga infeksioni.

Sipas tyre rezultatet e para të testimit do të jenë të mundura në periudhën korrik-gusht.

Ndërsa përsa i përket daljes në treg, ajo pritet që të shpërndahet në vitin 2021./AgroWeb.org