COVID-19: Shqipëria shënon 13 raste të reja, Korça një nga qytetet e prekura

342 0

Pak momente më parë Ministria e Shëndetësisë njoftoi se brenda testimeve të 24 orëve të fundit, pozitiv kanë rezultuar 13 prej tyre.

Tanimë numri i të prekurve me koronavirus COVID-19 ka shkuar në 89.

Pjesa më e madhe e të prekurve  vazhdon të jetë në Tiranë. Ndërsa në Korçë shënohen 3 rastet e para

Deklarata e plotë: 

Janë shënuar deri tani dy raste humbje jete.

Ju informojmë se tre pacientët e parë kanë lënë aktualisht spitalin të shëruar por theksojmë se, pas daljes nga spitali, pacientët e rikuperuar duhet të qëndrojnë në vetëkarantinim edhe për 14 ditë të tjera, duke ndjekur masat e kontrollit respirator dhe higjienën personale.

Ndërsa është rritur numri i pacientëve të shtruar në spitalin Infektiv, ku ndodhen aktualisht 43 pacientë.

4 prej tyre janë në terapi intensive, në situatë të njëjtë klinike. Ndërsa pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente.

Mosha mesatare e rasteve të hospitalizuara është 54 vjeç.
Jemi duke vijuar me testimin e rasteve të dyshuara, si element i rëndësishëm për ndërprerjen e zinxhirit të transmetimit të infeksionit COVID-19.

Nga ana tjetër, për të siguruar suksesin e ndërprerjes së këtij transmetimi, qytetarët kanë një rol thelbësor. Qytetarët duhet të vazhdojnë të vetëizolohen dhe të shmangin sa më shumë kontaktet.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet edhe një herë me një lutje qytetarëve: Mos shkoni menjëherë në spital!

Ministria ka vënë në dispozicion një linjë të gjelbër FALAS 0800 40 40 për çdo qytetar që kërkon informacon apo këshilla në lidhje me COVID-19. Kjo linjë do të shërbejë edhe për pacientët kronikë që të marrin informacion se si të lidhen me mjekun e familjes, se si mund të përfitojnë barnat me rimbursim dhe për cdo shqetësim tjetër që ata kanë.

Por është e rëndësishme të sqarohet se: Nëse qytetarët kanë shenja të sëmundjes dhe për rastet e urgjencave duhet të telefonohet numri unik i urgjencës kombëtare 127!

Edhe një herë përsërisim apelin për qytetarët për të respektuar masat e distancimit social, të qëndrojnë në shtëpi, të ndihmojnë veten e tyre dhe në këtë mënyrë të ndihmojnë stafet mjekësor për të përballuar këtë situatë.