Fondet e skemës së granteve IPARD janë në dispozicion të fermerëve dhe agrobiznesit.
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi nisur nga disa reagime për skemën e granteve IPARD dhe impaktin e emergjencës së COVID-19 në sektorin rural, bëri sot disa saktësime për publikun.
“Fondet e kësaj skeme nuk ‘flenë në sirtar’, por janë në dispozicion të fermerëve dhe agrobiznesit. Falë kësaj skeme sot kemi investime të rëndësishme në ferma, makineri, linja prodhimi dhe asete të tjera sipas masave përkatëse. Ka perënduar koha kur IPARD ‘flinte’ në ministri prej 4 vitesh për shkak të mosakreditimit”, tha Çuçi.
“Ka 1 vit e gjysmë që kjo skemë ka një kontribut të madh në investimet që po bëhen në sektorin rural. Në Thirrjen e Parë të IPARD ne kontraktuam 25 milionë euro. Në Thirrjen e Dytë kemi 377 aplikime dhe plot 56 milionë euro në dispozicion”, u shpreh Çuçi.
Shqipëria, shtoi ministri Çuçi, “është vendi i vetëm që evitoi djegien e fondeve dhe madje shfrytëzoi ato që nuk ishin shfrytëzuar më parë. Po kështu jemi i vetmi vend, ndër ato që përfitojnë nga skema IPARD, që çelëm dy thirrje brenda një viti për të gjitha masat e akredituara”.
IPARD, nënvizoi Çuçi, “është një program që parashikon investime, jo mbështetje direkte për fermerët dhe pavarësisht krizës së COVID-19, nuk ka patur deri më tani diskutime për modifikimin e tij. Pagesat direkte janë vetëm për vendet anëtare të BE”.
“Ecuria e IPARD në Shqipëri është sipas parashikimeve dhe shumë investime në të gjithë vendin janë sot realitet, të tjera janë duke u përfunduar dhe plot projekte presin që të financohen”, tha Çuçi.
“Edhe pse në kushtet e masave kufizuese të kësaj emergjence, sektori bujqësor në Shqipëri vijon punën. Megjithatë kjo është një situatë dinamike që ne po e monitorojmë me kujdes dhe do të ndërmarrim masat e nevojshme në momentin e duhur”, përfundoi Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi./Burimi:Atsh