Pite të Sheshta Tigani – Gati në 30 Minuta

1.9k 0

Pitet janë ushqimi i mirë i çdo vakti.

Ato mund t’i konsumoni shumë mirë në mëngjes, mund t’i shoqëroni me gjellën në drekë, apo me pak djathë në darkë.

Janë edhe një gatim shumë i shpejtë që mund ta përgatisni kurdo që dëshironi.

Kështu me fare pak mundim, drejtohuni kuzhinës për të gatuar një pjatë plot shije.

AgroWeb.org mëposhtë ju tregon recetën e saktë se si të veproni.

Përbëresit

  • 500 gr miell
  • 250 ml ujë
  • 80 ml vaj ulliri
  • 1 lugë çaji sodë
  • Kripë

Përgatitja

Për të nisur me përgatitjen e kësaj recete AgroWeb.org ju këshillon që të zgjidhni një enë të thellë.

Në të hidhni ujin, vajin, kripën dhe sodën, duke i përzier të gjithë përbërësit me njëri tjetrin.

Më pas shtoni miellin pak nga pak tek ena me ujin, duke bërë kujdes që të mos krijohen kokrriza gjatë formimit të brumit.

Punojeni me duar të gjithë masën derisa të lidhet dhe të mund ta vendosni mbi tryezë për ta punuar sërish me duar.

Nëse brumi ju ngjit në duar shtoni edhe pak miell dhe vazhdoni ta punoni, derisa të formohet një top homogjen.

Vendoseni brumin sërish në enë, mbulojeni me një copë dhe lëreni të pushojë për 20 minuta.

Më pas merreni brumin ndajeni në 5 kuleçë të vegjël, rreth 170 gramë secili dhe hapini me një petës.

Krijoni peta rrumbullake të vogla me trashësi deri në 2-3 milimetra.

Ndërkohë vendosni në zjarr një tigan që nuk ngjit dhe kur të ketë marrë nxehtësi, vendosni piten e parë të piqet.

Teksa pitja merr ngjyrë në tigan, shpojeni atë me pirun herë pas here, në mënyrë që të mos fryhet e të deformohet.

Lëreni secilën nga pitet të piqet për jo më shumë se 2-3 minuta nga secila anë.

Më pas vendosini të gjitha në një pjatë ose në një enë dhe mbulojini me një copë të trashë që të qëndrojnë të buta gjatë ftohjes.

Sapo të jenë ftohur disi, janë gati për t’u shërbyer sipas dëshirës tuaj.

Ne ju sugjerojmë që t’i lyeni me pak salcë kosi, gjizë apo krem djathi dhe të shtoni brenda pak sallatë jeshile apo rukola.

Shija do të jetë e mahnitshme./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.