Patëllxhanë të Tiganisur me Hudhra dhe Uthull Molle

6.8k 0

Me stinën e verës recetat fillojnë e bëhen më të lehta si në përgatitje po ashtu edhe për organizmin.

Patëllxhani është një nga perimet më të mira për tretjen duke i bërë të gjitha pjatat që përgatiten me të perfekte për verën.

AgroWeb.org ka publikuar receta të ndryshme ku patëllxhani është përbërësi kryesor.

Kjo që ju këshillojmë të provoni sot i ngjason më shumë një sallate të ftohtë e cila mund të shoqërojë gatimet e mishit.

E thjeshtë dhe me shumë pak përbërës, përgatitja e patëllxhanëve të tiganisur me hudhra dhe uthull molle është receta që ju duhet.

Lexoni me kujdes hapat e përgatitjes dhe provojeni në shtëpinë tuaj për një shije krejtësisht të veçantë.

Përbërësit

  • 5-6 patëllxhanë
  • 3-4 hudhra
  • Kripë dhe piper të zi
  • Miell
  • Vaj për skuqje

Përgatitja

Nisni me pastrimin e patëllxhanëve duke mbushur një tas me ujë dhe pak sodë buke.

Pasi t’i keni lënë për disa minuta shpëlajini me ujë të bollshëm dhe vazhdoni me përgatitjen e recetës.

Si fillim duhet t’i qëroni. Largoni kështu bishtin, lëkurën mos ia hiqni nëse dëshironi.

Pasi të keni kryer këtë hap pritini patëllxhanët në rrathë ose në shirita sipas dëshirës suaj.

Këshillohet që kur patëllxhanët janë shumë rrumbullak t’i prisni në rrathë dhe kur janë të gjatë, në shirita.

Forma nuk ka fort rëndësi, ama trashësia e fetave duhet të jetë sa më e hollë.

Kur të keni prerë të gjithë patëllxhanët, në një pjatë hidhni pak miell dhe kalojini aty të gjitha fetat.

Ndërkohë në zjarr AgroWeb.org ju sugjeron që të vendosni një tigan me pak vaj që të ngrohet.

Duke qenë se patëllxhanët thithin goxha vaj, dhe recetën duam që ta kemi të shëndetshme, do të hidhni vaj pak e nga pak për çdo tigan që skuqni.

Mund ta masni me një lugë çaji, për çdo tigan me patëllxhanë që skuqni hidhni një lugë çaji me vaj.

Kur vaji të jetë ngrohur vendosni aty patëllxhanët dhe lërini të skuqen nga të dyja anët.

Fetat e skuqura, AgroWeb.org ju këshillon që t’i vendosni në një enë të thellë apo tavë.

Pasi të keni shtruar fetat e para të patëllxhanëve, spërkatini me vaj ulliri, uthull molle, hudhër, kripë dhe piper.

Vazhdoni kështu derisa të keni mbaruar me të gjithë patëllxhanët.

Kini kujdes, kur AgroWeb.org ju thotë spërkatini, mos e ekzagjeroni me sasinë pasi marinimi do të jetë për çdo shtresë.

Kur të keni mbaruar lërini patëllxhanët të ftohen dhe më pas futini në frigorifer dhe kur të jetë koha për t’i shërbyer do të jenë gati./AgroWeb.org