COVID-19 po Rëndon më Shumë Gratë, Rrezikon të Thellojë Pabarazinë Gjinore

423 0

COVID-19 ka ndikuar në mënyrë shpërpjesëtimore gratë krahasuar me burrat, dhe rrezikon të thellojë pabarazinë gjinore, sipas një vlerësimi të shpejtë të realizuar nga UN Women në Shqipëri.

Anketimi u krye gjatë periudhës 17-26 prill 2020 (përpara zbatimit të paketës së ndihmës financiare nr. 2 nga qeveria e Shqipërisë), në partneritet me IDRA Research & Consulting, dhe mati ndikimin socioekonomik të pandemisë, si dhe mënyrën se si ndikoi në jetesën e grave dhe të burrave në Shqipëri. Në anketim, morën pjesë 1300 persona me grupmosha dhe status familjar të ndryshëm, si edhe nga vendndodhje të ndryshme, të cilët iu përgjigjën pyetjeve mbi aksesin në informacion për COVID-19, shëndetin, punën dhe të ardhurat, mënyrën se si e shfrytëzonin kohën dhe nevojën për mbështetje.

Sipas Vlerësimit të Shpejtë Gjinor, përgjithësisht shqiptarët janë  të kënaqur me informacionet për COVID-19 (80% e të anketuarve), ndërsa gratë kanë pak më shumë gjasa të përdorin internetin dhe mediat sociale si burim parësor informacioni (32% e grave krahasuar me 28% e burrave).

Një në pesë persona kishte vështirësi në aksesin ndaj shërbimeve shëndetësore, dhe, si gratë, ashtu edhe burrat kanë hasur sfida për gjetjen e mjeteve mjekësore për mbrojtjen personale ndaj COVID-19. Këto sfida u raportuan më shpesh nga gratë (51% e grave krahasuar me 43% e burrave). Në lidhje me grupmoshat, vajzat e reja të moshës 18-24 vjeç kishin më tepër gjasa të përballeshin me shumë/disa vështirësi në aksesin ndaj shërbimeve shëndetësore dhe mjeteve mbrojtëse mjekësore.

Shëndeti Psikologjik dhe Mendor

Lidhur me shëndetin psikologjik dhe mendor, gratë janë prekur më shumë se burrat (69% përkundrejt 57%), si dhe ekziston një hendek më i madh midis grave të punësuara (35-44 vjeç), të cilat raportuan se kanë përjetuar shqetësime psikologjike më të mëdha krahasuar me burrat e të njëjtës grupmoshë (72% përkundrejt 58%).

Në zonat rurale, hendeku gjinor i ndikimit të pandemisë dhe masave kufizuese në shëndetin mendor ka një diferencë prej 21 pë qind, duke rënduar më tepër për gratë. Krahas kësaj, gratë që kanë përjetuar ose kanë qenë dëshmitare të dhunës në familje raportuan shqetësime psikologjike më të mëdha.

Masat e izolimit për shkak të COVID-19 e kanë rritur ndjeshëm barrën e punës së papaguar në familje si për burrat, ashtu edhe për gratë.

Megjithatë, vlerësimi konfirmon se gratë kanë marrë përsipër më shumë punë shtëpie dhe përkujdesi për familjen, si dhe një në dy gra raportojnë se kanë kryer të paktën dy veprimtari të punës së papaguar në shtëpi. 46% e grave dhe 67% e burrave raportuan se merrnin më shumë ndihmë nga partneri/partnerja, çka vërteton shpërndarjen e pabarabartë të punës së papaguar.

Mbyllja e bizneseve jothelbësore pati një ndikim të drejtpërdrejtë mbi vendet e punës, dhe pothuajse 15% e të anketuarve raportuan se kishin humbur vendin e punës.

Papunësia

U duk se burrave iu kanosej një rrezik më i lartë papunësie (17%) krahasuar me gratë (12%), kjo pjesërisht si pasojë e faktit që shumë prej tyre punojnë në sektorë të prekur ndjeshëm nga karantina. Përpos kësaj, rezultatet nënvizojnë një ndikim shpërpjesëtimor mbi orët e punës së grave të punësuara.

Pavarësisht statusit të punësimit, gratë janë më të ekspozuara ndaj reduktimit të orëve të punës dhe mundësisë së pakësimit apo humbjes së të ardhurave. Orët e punës janë reduktuar më tepër tek gratë e vetëpunësuara të grupmoshës 45-54 vjeç (66.7%). Thuajse një në dy (46%) gra të vetëpunësuara, që kanë fëmijë, janë detyruar të shkurtojnë oraret e punës, kryesisht për t’u kujdesur për fëmijët dhe punët e shtëpisë.

Vlerësimi i Shpejtë Gjinor konfirmon se si gratë, ashtu edhe burrat kanë pësuar rënie të të ardhurave. Një në dy persona raporton rënie të të ardhurave nga puna, ndërsa dy të tretat kanë pasur humbje të të ardhurave nga bujqësia dhe blegtoria. 74% e grave që vareshin nga remitancat raportuan rënie të këtij burimi të ardhurash gjatë emergjencës shëndetësore./Monitor