Raporti INSTAT: Shqiptarët po blejnë vetëm ushqime dhe ilaçe

364 0

Ndonëse vendi u “çlirua” nga mbyllja në tremujorin e tretë të vitit, konsumi ka vijuar të jetë i dobët dhe i përqendruar vetëm në produktet ushqimore, ndërsa shihet një rritje e lartë e konsumit të ilaçeve.

Sipas të dhënave të detajuara të INSTAT, në korrik u shënua një rritje e lehtë e indeksit të vlerës së tregtisë me pakicë me bazë vjetore me 0.8%. në gusht, ky indeks shënoi një tkurrje prej 7.2% në raport me gushtin 2019, duke reflektuar turizmin më të dobët, sidomos si rrjedhojë e rënies së hyrjeve të të huajve, që nuk u arritën të kompensoheshin nga turistët vendas. Në shtator, shitjet u gjallëruan pas shumë muajsh, duke u rritur me 3.7%, të nxitura nga fillimi i vitit shkollor dhe ardhjet e turistëve nga Kosova.

Instat raportoi se në total, në tremujorin e tretë, volumi i tregtisë me pakicë në tremujorin e tretë të këtij viti shënoi rritje me 0.7 për qind me bazë vjetore.

Rritje e lartë e konsumit të ilaçeve, rekord në shtator

Krahas ushqimeve, që janë produkti bazë për të cilin shpenzojnë familjet, pandemia e Covid-19 ka rritur ndjeshëm konsumin dhe blerjen e barnave në vend. Të dhënat e INSTAT tregojnë se rritja ishte më e fortë sidomos në shtator, (+24.5%), teksa vala e dytë e Covid-19 filloi të përshpejtohet, duke shënuar zgjerimin më të lartë nga të gjitha grupet e tjera, sipas aktivitetit ekonomik.

Një tendencë e tillë është konfirmuar dhe nga importet e produkteve farmaceutike që kanë shënuar rritje në shtator e tetor.

Mjekët dhe farmacistët pohojnë se ka pasur një rritje të lartë të konsumit të vitaminave, kryesisht C dhe D, antibiotikëve, të produkteve qetësuese që kanë përdorur të prekurit me Covid-19, si dhe të serumeve, kortizonikëve, antikoagulantëve.

Shtator, shkolla dhe turistët e Kosovës rrisin konsumin

Në shtator konsumi i gjallërua lehtë, si rrjedhojë e fillimit të shkollës, me shitjet e “Libra, gazeta, artikuj shkollor, produkte të argëtimit”, që u zgjeruan me 23.2%, ndërsa dhe dyqanet e vogla raportuan rritje si për produktet ushqimore, ashtu dhe ato jo ushqimore, i nxitur dhe nga turistët nga Kosova, që në shtator u rritën me 44% në krahasim me të njëjëtn periudhë të një viti më parë. Konsumi i karburanteve vijoi rënien, por me ritme më të ngadalta (-7.5). Ashtu si në gusht u shitën më pak oajisje kompjuterike (-7.2), ndërsa konsumi i produkteve farmaceutike arriti rekordin (+24.5%)./Burimi:Monitor