81 Ferma në Shqipëri Prodhojnë Produkte Tërësisht Bio

921 0

Fermerët shqiptarë do të kishin fitime më të larta po të kishin orientuar prodhimin drejt produkteve, Bio.

Copëzimi i lartë i tokës, organizimi me ferma të vogla, klima e favorshme dhe diversiteti i kulturave bujqësore janë të përshtatshme për sasi të vogla prodhimi.

Por këto sasi, nëse do të ishin Bio do të sillnin më shumë të ardhura për fermerët. INSTAT raportoi se më 2019 në të gjithë vendin ushtronin aktivitet 81 ferma BIO.

40 ferma ose 50 për qind e totalit janë të destinuara për prodhimin e bimëve mjekësore dhe medicinale për eksport, 12 ferma ose 15 për qind e totalit janë ullishte që prodhojnë Bio dhe pjesa tjetër janë arrorë dhe gështenja që rriten në gjendje të egër.

Prodhimi Bio në Shqipëri përballet me sfida më të shumta se prodhimi konvencional. Për të njëjtën sipërfaqe merret më pak prodhim dhe me kosto më të lartë pasi nuk përdoren pesticidet dhe farërat që aplikohen nga prodhuesit konvencional. Ndërkohë mungon informacioni për tregjet dhe mungojnë grumbulluesit për këto lloj prodhimesh.

Përkundrejt kostove më të larta të produkteve Bio, mungon konsumatori i gatshëm që të paguajë më shumë, pikërisht për të mbuluar kostot shtesë të prodhuesve biologjikë, pasi në shumicën dërrmuese, konsumatori shqiptar është një konsumator i varfër.

Prodhimi Bio ka potenciale të larta për eksport dhe zhvillimi i turizmit. Miliona vizitorë të huaj që vizitojnë vendin tonë në kohë normale janë të interesuar të konsumojnë produkte cilësore dhe Bio. Ndërsa kërkesa për eksport për këto prodhime është gjithmonë në rritje.

Ky vit krize ishte i mbarë për eksportuesit e bimëve mjekësore, rritja e kujdesit për shëndetin dhe përdorimi i tyre në farmaceutikë nxit kërkesën për to. Gjatë 10-mujorit, eksportet e bimëve mjekësore u rritën me mbi 17%, me vlerë totale prej 4.3 miliardë lekësh. Bimët mjekësore ishin grupi i tretë më i madh në 22 grupet që përfaqësojnë eksportin e ushqimeve.

Filip Gjoka, kryetar i Shoqatës së Bimëve Mjekësore dhe Aromatike, deklaroi se arsyet e rritjes së eksporteve të bimëve mjekësore në pandemi lidhen me përdorimin e tyre nga kompani ndërkombëtare farmaceutike për ilaçe kundër COVID-19 dhe shtimin e kërkesës në tregjet europiane nga SHBA.

“Shumë kompani të mëdha farmaceutike në botë i kanë kthyer ambientet e tyre në laboratorë kërkimesh për gjetjen e medikamenteve për kurimin e COVID-19 dhe të vaksinës. Një pjesë e bimëve që ne eksportojmë, po përdoren për luftën kundër koronavirusit. Rritja e kërkesës është ndikuar edhe nga acarimi i marrëdhënieve të Kinës me SHBA, dhe një pjesë e mirë e tregjeve të këtij të fundit i janë drejtuar Europës dhe vendit tonë për bimë mjekësore”, thotë ai. /Burimi:Monitor