Pandemia shtyn familjet në kërkim të ajrit të pastër

281 0

COVID-19 zhvilloi një sjellje të re konsumatore, e shfaqur në sektorë të ndryshëm. Një tendencë e ngjashme nuk mungoi edhe te turizmi. Strukturat akomoduese të vendosura në zonat malore vunë re një rritje të menjëhershme të frekuentimit në periudhën post-karantinë.

Tendenca vinte në kushtet kur grumbullimet masive që ndodhin në bregdet nuk janë të tilla në zonat malore me natyrë. Ajo lidhej edhe me një ide se në kohë pandemie, natyra, dielli e ajri i pastër janë armët më të mira kundër virusit.

Eva Ferkaj, e cila me bashkëshortin zotëron një strukturë akomoduese në zonën e Razmës, shprehet se kanë pasur fluks të vizitorëve. Kapaciteti akomodues i “Kullës së Artë” është 80 dhoma dhe thuajse çdo fundjavë është plot. Struktura hoteliere, e cila operon prej të paktën gjashtë vitesh, u lindi si ide për t’u shkëputur nga puna në administratën publike e për të investuar dhe për të menaxhuar diçka të tyren.

“Turizmi na u duk me interes, duke pasur parasysh që për Razmën ka pasur kërkesë dhe frekuentimi po rritej vit pas viti. Fillimisht ndërtuam një hotel apo ‘kulla e madhe’ siç i themi ne, e më pas, me rritjen e kërkesës, u zgjeruam edhe më tej me kapacitet shtesë. Kemi vënë re se klientela është gjithmonë e më shumë përzgjedhëse, duke kërkuar kushte dhe mundësi për të kaluar kohën e lirë brenda objektit. Ndaj nuk e kemi lënë thjesht si një hotel, por kemi shtuar edhe investime të tjera si pishinë, sauna, salla lojërash, palestër, hamami. Duke pasur parasysh rritjen e kërkesës, ndërtuam edhe një hotel të dytë më luksoz se i pari, vetëm me suita” – thotë Ferkaj.

E teksa pandemia ka dhënë efekt në çdo sektor, pritshmëria është që të ketë ndikuar sadopak edhe te vetë ata. Me bindje na tregon se pas heqjes së kufizimeve e në vazhdim kanë pasur mbingarkesë.

“Nuk kemi pasur asnjë rast me COVID-19 në strukturë, pasi për shkak të hapësirave në dispozicion, kemi mundur të respektojmë protokollet. Kemi pasur mbingarkesë. Ata që na vizitojnë, si në kohë normale, edhe në kohë pandemie, janë vendasit. Asnjëherë nuk kemi pasur të huaj, pasi ata nuk shpenzojnë aq shumë sa shpenzojnë turistët shqiptarë. Duhet të theksoj se pika turistike e Razmës është destinacion dhe jo tranzit.

Të huajt që frekuentojnë zonat malore janë turistë të aventurës, të cilët duan të eksplorojnë dhe të lëvizin, ndërsa nëse vijnë këtu në Razëm, mbeten këtu. Ndryshe nga Thethi e Boga, që janë tranzit dhe mund të kalosh një natë aty e një natë në Valbonë, në Razëm nuk mund të shkosh askund tjetër. Kjo na ka shtyrë të krijojmë edhe kushte të tjera në hotel, në mënyrë që vizitorët të kenë si të kalojnë kohën” – na thotë Eva.

Lidhur me net-qëndrimet, ajo pohon se zakonisht, mesatarja është dy-tri net. Në fundjavë, ata që e frekuentojnë janë më shumë familjarët, ndërsa gjatë javës ka më shumë shoqëri, rini, grupe të cilët bëjnë trajnime apo konferenca të vogla pune.

Për vitin 2020, zonja Ferkaj tregon se hoteli i tyre ka pasur të njëjtin frekuentim si më parë dhe familjet që parapëlqejnë ta vizitojnë vijnë nga kryeqyteti dhe rikthehen herë pas here. Ajo nënvizon se ajri i pastër i Razmës është ndoshta një nga arsyet e rritjes së frekuentimit në këtë kohë pandemie, por mund të ketë ndikuar edhe pamundësia për të udhëtuar jashtë e një pjese të mirë. Struktura ka të punësuar që variojnë në numër nga sezoni dhe pritshmëria për në vazhdim mbetet e paqartë për Ferkajn. Nëse nuk do të ketë kufizime të reja apo një karantinë të dytë, ajo shprehet optimiste për vitin 2021./Burimi:Monitor