Fermerët Orientohen drejt Prodhimit bio

558 0

Prodhimet organike bujqësore kryesojnë kërkesën e konsumatorëve në tregun vendas, por më së shumti atë të huaj.

Për të rritur të ardhurat e tyre familjare, fermerët dhe agrobiznesi të mbështetur edhe nga politikat financiare dhe fiskale, po orientohen gjithnjë e më shumë drejt prodhimit të produkteve “bio”.

Një nga drejtimet kryesore që po ngjall interes të veçantë për fermerët është krijimi i fermave organike me ullishta.

Sipas statistikave nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, ullishtat zënë rreth 15% të mbi 100 fermave organike bujqësore që janë në vendin tonë.

Vitet e fundit qeveria ka adresur mbështetje të veçantë për zhvillimin e ullirit, që synon shtimin e sipërfaqes së përgjithshme me ullinj dhe rritjen e prodhimit të vajit “Made in Albania”, që është mjat i kërkuar në tregjet e huaja.

Sipërfaqja e ullishtave në vendin tonë shënon rreth 50 mijë hektarë gjithsej, ndërsa numri i pemëve të ullirit arrin në mbi 9 milionë rrënjë dhe numri i linjave bashkëkohore të përpunimit të ullirit për vaj shkon në mbi 170 fabrika.

Statistikat tregojnë se në vitin 2019 prodhimi i ullirit shënoi sasinë e 98 313 tonëve dhe prodhimi i vajit të ullirit arriti në 20 038 tonë. Eksportet e vajit të ullirit u rritën ndjeshëm vitin e kaluar në 174 tonë, kundrejt vitit 2010 kur ky tregues shënonte 15 tonë eksporte./ATSH