Bimët Mjekësore Pjesë E Skemës Për Subvencionim Të Fermerëve

503 0

Deri në 100 mijë lekë financon qeveria, për fermerët që mbjellin bimë mjekësore e aromatike në vlerën 200 000 lekë për hektarë, përmes Skemës Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi dhe Zhvillimit Rural për vitin 2021.

Krahas mbështetjes së një sërë sektorëve, fermerët do të vijojnë të subvencionohen për rritjen e sipërfaqes së mbjellë me bimë aromatike mjekësore.

Në Shqipëri ka mbi 7 mijë lloje bimësh, të cilat formojnë thuajse 32 % të të gjithë florës së Europës.

Në këto kushte vendi ynë kryeson në prodhimin dhe eksportimin e këtyre pasurive natyrore dhe mbështetja konsiston në ruajtjen e këtij trendi.

Skema kombëtare e këtij viti, subvencionon fermerët që mbjellin bimë mjekësore e aromatike në vlerën 200 000 lekë për hektar, por jo më shumë se 100 000 lekë financim, për fermerët individualë dhe për grup fermerësh, ndërsa për shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor (SHBB), jo më shumë se 400 000 lekë.

Sipas udhëzimit të Ministrisë që shoqëron skemën kombëtare të mbështetjes, sipërfaqja e mbjellë për fermerët individualë duhet të jetë jo më pak se 0.2 ha, për grup fermerësh, jo më pak se 1 ha në një bllok të vetëm, për SHBB-të, jo më pak se 5 ha.

Shqipëria është një vend i pasur me bimë mjekësore dhe është aktor kryesor në tregjet ndërkombëtare. Bimë mjekësore dhe aromatike gjenden në sasi të konsiderueshme në vendin tonë dhe krijojnë mundësi punësimi për rreth 100 mijë familje që jetojnë në zonat rurale të vendit.

Sektori i bimëve mjekësore dhe aromatike gjeneron rreth 18 milionë euro nga eksporti, i listuar si sektori i dytë më i madh në eksportin bujqësor. Ky sektor gjeneron punësim të qëndrueshëm dhe është burim ekonomik për shumë familje në zonat rurale të vendit.