Raporti i “Health Data”: Shqipëria e katërta në botë për pasojat reale nga Covid-19

361 0

Shqipëria renditet e katërta në botë për nivelin e vdekjeve reale nga Covid-19 në raport me popullsinë, pas Azerbajxhanit, Bosnjë-Hercegovinës dhe Bullgarisë.

Të dhënat janë publikuar nga “Health Data”, një institut amerikan për vlerësimin e shëndetit. Sipas raportit, Shqipëria kishte në total 529 vdekje për 100 mijë banorë, për periudhën mars 2020 deri në maj 2021, duke u renditur e katërta ndër 20 vendet me vdekjet reale më të larta nga Covid-19.

Pas Shqipërisë renditet Meksika (478 vdekje për 100 mijë banorë), e ndjekur nga Maqedonia e Veriut (482), Bjellorusia (472), Rumania (465) , Kazakistani (459), Peruja (447).

Sipas raportit, Shqipëria i ka vdekjet totale nga Covid-19 rreth 6 herë më shumë sesa deklarimet zyrtare, duke u renditur sërish ndër vendet që kanë normën më të ulët të deklarimeve zyrtare në raport me vdekjet totale, pas Bjellorusinë, dhe Azerbajxhanit. Në Maqedoninë e Veriut, raporti është 2, ndërsa në Mal të Zi është 1.4.

“Health Data” vlerëson se në mbarë globin, Covid-19 ka shkaktuar 6.9 milionë vdekje ose 2 herë më shumë sesa është deklaruar zyrtarisht deri tani. Vlerësimi bazohet në matjen e vdekjeve shtesë gjatë javëve pandemike krahasuar me atë që do të pritej bazuar në trendet dhe sezonalitetin e viteve të kaluara. Sidoqoftë, thotë raporti, niveli i vdekjeve shtesë nuk është i barabartë me totalin e vdekjeve COVID-19. Vdekshmëria e tepërt ndikohet nga gjashtë faktorë:

a) niveli i përgjithshëm i vdekjeve nga COVID-19, domethënë, të gjitha vdekjet që lidhen drejtpërdrejt me infeksionin COVID-19; b) rritja e vdekshmërisë për shkak të shtyrjes së kujdesit shëndetësor të nevojshëm gjatë pandemisë; c) rritja e vdekshmërisë për shkak të rritjes së çrregullimeve të shëndetit mendor përfshirë depresionin, përdorimin e shtuar të alkoolit dhe përdorimin e shtuar të opioideve; d) zvogëlimi i vdekshmërisë për shkak të uljes së lëndimeve si rrjedhojë e kufizimit të lëvizjeve; e) zvogëlimet e vdekshmërisë për shkak të transmetimit të zvogëluar të viruseve të tjerë, kryesisht të gripit, virusit të frymëmarrjes dhe fruthit; dhe f) zvogëlimet e vdekshmërisë kronike, të tilla si sëmundjet kardiovaskulare dhe sëmundjet kronike të frymëmarrjes, që ndodhin kur individët e dobët që do të kishin vdekur nga këto kushte vdiqën më shpejt si rrjedhojë e COVID-19.

Për të vlerësuar saktë vdekshmërinë totale të COVID-19, duhet të marrim parasysh të gjashtë këta nxitës të ndryshimit të vdekshmërisë që kanë ndodhur që nga fillimi i pandemisë”, thekson raporti.

Në vlerë absolute, shtetet me nivelin më të lartë të vdekjeve janë SHBA-të, me 912 mijë, të ndjekura nga India me 736.8 mijë, Meksika me 621.9 mijë, Brazili me 616.9 mijë dhe Rusia me 607.6 mijë.

Në Europë, kryeson Mbretëria e Bashkuar (210 mijë vdekje) e ndjekur nga Italia, me 178 mijë dhe Franca e Spanja me përkatësisht 134 dhe 124 mijë vdekje nga Covid-19. Më pas renditen Gjermania me 123 mijë dhe Rumania me 89 mijë.

Shtesa e vdekjeve në një vit pandemi sipas INSTAT, më shumë se 9300 persona

Edhe më herët, të dhënat kombëtare dhe ato të Eurostat për shtetet e Europës treguan se Shqipëria kishte rritjen më të lartë të vdekjeve në periudhën pandemike dhe ndër të parat në Europë për shtesën e fataliteve në raport me popullsinë, përveç atyre shteteve që edhe në vite normale kishin një normë të lartë vdekshmërie, si psh Bullgaria.

Sipas INSTAT, nga prilli 2020 deri në mars 2021, u shënuan rreth 9,300 vdekje shtesë në krahasim me periudhat përkatëse të vitit të mëparshëm, kur virusi nuk ishte i pranishëm. (për të njëjtën periudhë, zyrtarisht janë 2423 vdekje Covid). Gjatë kësaj periudhe 12 mujore (prill 2020-mars 2021) kanë humbur jetën rreth 31 mijë persona, nga 21.8 mijë persona në prill 2019-mars 2020, me një rritje prej rreth 42.7%.

Ndërsa nga të dhënat e krahasuara me Europën, rezulton se Shqipëria, e cila zgjodhi të zbatojë kufizime të rrepta vetëm në mars-maj 2020 ka përjetuar valën më fatale të pandemisë, me një rritje të numrit të vdekjeve me 38% për mars-dhjetor 2020, krahasuar me mesataren e të njëjtës periudhë 2016-2019, pasi janari dhe shkurti kishin shënuar tendencë rënëse.

Shqipëria ka një diferencë rreth 30% më të lartë për shtesën e vdekshmërisë në periudhën e pandemisë me të gjithë shtetet e tjera të Europës.

E njëjta tendencë vijoi dhe në muajt e parë të vitit 2021, ku Shqipëria pa një rritje shumë më të lartë të fataliteve, në raport me shtetet e tjera të Europës.