Shqipëri, konfirmohet prania e variantit Delta

344 0

Në Shqipëri autoritetet e shëndetësisë njoftuan sot se është konfirmuar edhe në Shqipëri, prania e variantit Delta, të koronavirusit

Pak javë më parë Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur se në rastet e reja me koronavirus, ishin vënë re sinjale të pazakonta në mostrat e analizuara. Ato u dërguan në laboratorë të specializuar në Gjermani, nga ku sot erdhi përgjigja se i përkasin variantit Delta.

Në njoftimin zyrtar nuk jepen të dhëna se sa raste janë konfirmuar dhe nga cilat zona të vendit kanë qenë personat e prekur. Konfirmimi i qarkullimit të këtij varianti, i cili paraqitet me rrezikshmëri të lartë sa i përket përhapjes, përkon, sipas autoriteteve me rritjen e infektimeve në dy javët e fundit.

Nëse në fund të qershorit kishte vetëm 53 raste aktive në të gjithë vendin, aktualisht janë 280 të tillë, ose pesë herë më shumë.

Autoritetet përsëritën sot thirrjet drejtuar qytetarëve për respektimin e masave parandaluese. “Varianti Delta i infeksionit Sars-Cov2 është varianti më i transmetueshëm, ndaj respektimi i masave të distancimit fizik, vendosja e maskave në ambientet e brendshme dhe higjena, janë thelbësore për kufizimin e përhapjes së virusit”, theksohet në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Shëndetësisë. Por në fakt, prej kohësh, masat thuajse nuk zbatohen. Pavarësisht detyrimit për mbajtjen në mjediset e mbyllura, maskat rrallë shihen të përdoren.

Shqipëria ndërkohë ka hapur pa asnjë lloj kufizimi apo kontrolli, kufijtë e saj për turistët e huaj, të cilët mund të hyjnë lirshëm pa asnjë lloj detyrimi për të dëshmuar nëse janë ose jo të vaksinuar, apo nëse kanë një test te 48 apo 72 orëve të fundit.

Në total deri tani, vetëm 637 mijë qytetarë, ose 22.7 përqind e popullatës, kanë marrë vaksinën, nga të cilët 496 mijë të dyja dozat. Ministria e Shëndetësisë edhe sot bëri “thirrje për vaksinim masiv, për të frenuar përhapjen e virusit të rrezikshëm”. Prej ditësh, kanë rinisur vaksinimet e hapura për çdo qytetar +18 vjeç në qendrat e vaksinimit kudo në vend./Burimi:VOA