Kasatë Shtëpie me Mjedër – Shëndet dhe Freski

923 0

Recetat e freskëta dhe të ftohta janë ideale në këto ditë të nxehta.

Kasata, është një ëmbëlsirë gjysmë e ftohtë, me shije të lehtë e cila do t’ju freskojë mendjen dhe trupin, dhe gjithashtu do t’ju ëmbëlsojë.

Freskia e kasatës dhe shija e veçantë e mjedrave, janë kombinimi perfekt për të mbyllur shijshëm drekat apo darkat tuaja.

Por përveç shijes, mjedrat janë shumë të pasura në vlera dhe futen në kategoritë e frutave më të shëndetshme të pyllit.

Ju mund të shtoni në këtë recetë edhe copëza frutash të ndryshme, nëse preferoni.

AgroWeb.org ju sjell më poshtë recetën fantastike të përgatitjes së kasatës me mjedra, një recetë e shëndetshme dhe plot freski.

Përbërësit:

250 g sheqer

250 g mjedra

6 të verdha vezësh

3/4 pana

Përgatitja:

Për të realizuar këtë recetë AgroWeb.org ju këshillon të shtoni në një tenxhere, të verdhat e vezëve dhe sheqerin. Rrihini ato së bashku derisa masa të fryhet dhe të bëhet e trashë.

Më pas vendoseni enën në banjëmari dhe gatuajini, duke i trazuar vazhdimisht me një lugë. Kur përzierja të mbulojë lugën, hiqeni nga zjarri dhe vazhdoni t’a përzieni derisa masa e përftuar të ftohet plotësisht.

Në një tas, shtypni mjedrat. Shtoni panën në një enë tjetër dhe rriheni duke shtuar më pas edhe masën vezëve.

Në fund shtoni mjedrat e shtypura dhe trazojini së bashku derisa të gjithë përbërësit të bashkohen.

Lëvizjet duhet të jenë rrethore dhe nga lart poshtë, kështu volume i vezëve dhe panës nuk do të bjerë.

Ky hap është i rëndësishëm pasi vetëm kështu kasata do të dali kremoze dhe perfekte.

Kur të keni mbaruar kalojeni masën në një enë në të cilën keni shtruar një qese kuzhine apo letër pjekjeje.

Futeni enën në frigorifer dhe lëreni për 12 orë në ngrirje në mënyrë që të mpikset siç duhet.

Kur të ketë kaluar koha e nevojitur nxirreni enën nga ngrirja dhe kthejeni kasatën në një pjatë duke hequr me kujdes letrën./AgroWeb.org