Receta Fanastike E Kasatës Me Fiq Të Karamelizuar

383 0

Ata që i duan fiqtë nuk mund të mos e provojnë këtë kasatë të shijshme me fiq të karamelizuar.  E përsosur për t’u shërbyer në fund të një vakti, por edhe për një meze të lehtë e të shijshme.

Dikur kasatat ishin ndër specialitetet më të veçanta të restoranteve dhe pastiçerive, ndërsa sot nostalgjia e shijes së saj mes gjithë ëmbëlsirave dhe akulloreve të shumëllojshme, zgjon padyshim dëshirën për t’i provuar sërish.

AgroWeb.org sjell më poshtë recetën fantastike të përgatitjes së kasatës me fiq, një recetë e thjeshtë në përgatitje por që të magjeps tërësisht me shijen e saj.

Përbërësit (për 4 persona):

500 ml pana

4 fiq

3 të bardha vezësh

3 gota mjaltë

3 gota ujë

Biskota Savoiardi për shije

Për dekorim:

fiq të freskët

gjethe të freskëta menteje

Përgatitja:

Së pari filloni me përgatitjen e fiqve të karamelizuar, duke i pastruar mirë, qëruar dhe prerë në feta.

Njërën pjesë të tyre vendoseni në një tenxhere me ujë, shtoni mjaltin dhe gatuajeni derisa fiqtë të zbuten dhe të karamelizohen. Pasi të jenë gati, lërini të ftohen.

Ndërsa pjesën tjetër të fiqve ruajini ashtu siç janë.

Në një enë shtoni dhe rrihni të bardhat e vezëve. Me ngadalë shtoni panën, duke e përzier nga poshtë lart.

Në një enë të veshur me letër furre, hidhni gjysmën e kësaj mase të përftuar.

Më pas vazhdoni duke njomur biskotat Savoiard me lëngun ku përgatitët fiqtë dhe shtrojini ato në enën me pana dhe vezë.

Pasi të përfundoni me biskotat, shtoni edhe fiqtë e karamelizuar bashkë me një pjesë të fiqve që ruajtur.

Me pjesën e mbetur të panës me vezë mbuloni plotësisht fiqtë dhe biskotat.

Vendoseni kasatën e përgatitur në ngrirje në frigorifer dhe lëreni aty për 3-4 orë derisa të ngrijë plotësisht dhe më pas nxirreni nga frigoriferi zbukurojeni me fiq të prerë në feta dhe gjethe menteje e priteni në feta. Kasata është gati për t’u shërbyer./AgroWeb.org