Pandemia preku 89% të bizneseve – Cilët janë sektorët më të goditur?

342 0

Pandemia Covid 19 goditi fort ekonominë veçanërisht vitin e kaluar, teksa efektet vijojnë të ndjehen edhe këtë vit si te sipërmarrjet ashtu edhe të individët si pasojë e masave kufizuese.

Rreth 89% e kompanive konfirmojnë pasojat shumë negative në aktivitetin e tyre, teksa turizmi, industria dhe tregtia rezultojnë edhe sektorët më të prekur.

Janë këto gjetjet e anketës së kryer nga Këshilli i Investimeve mbi vlerësimin e impaktit të pandemisë mbi biznesin në vend, ku morën pjesë 427 kompani nga të gjitha qarqet e vendit.
Sipas vrojtimit që përfshin periudhën kohore Prill 2020 – Prill 2021, më negativisht janë ndikuar sipërmarrjet me xhiro vjetore deri në 5 milionë lekë si dhe ato nga 8 deri në 14 milionë lekë, ndërsa 65% e bizneseve të anketuara deklaruan ulje me më shumë se 20% të xhiros së tyre.

Vetëm 8% e tyre deklaruan se kriza nuk ndikoi në xhiron e tyre, ndërsa 1.9% e kompanive përjetuan një rritje me më shumë se 5% të saj.

Pritshmëritë janë pesimiste për disa sektorë edhe për këtë vit, pasi sipas anketës 40% e bizneseve të pyetura presin rënie të të ardhurave në 2021, kryesisht sektorët e industrisë, ndërtimit si dhe shërbimeve.
Ndërsa më optimiste janë sipërmarrjet në tregti e turizëm që presin një rritje të xhiros pas goditjes që morën një vit më parë, si rrjedhojë e sezonit turistik.

Më shumë se gjysma e kompanive të anketuara deklaruan se nga prilli i shkuar deri në prill 2021 kanë ndërprerë aktivitetin pjesërisht, ndërsa 15.2% e tyre u shprehën se e ndërprenë atë totalisht kjo veçanërisht në sektorin e turizmit.
Mungesa e klientëve, mungesa e likuiditet si dhe pamundësia për shlyerjen e detyrimeve tatimore renditen edhe si ndër problemet më të mëdha që po has biznesi këtë periudhë./Burimi:Topchannel