Fasule të Pjekura në Furrë – Si t’i Përgatisni Krokante Plot Shije

892 0

Fasulet janë bishtajoret më të gatuara, e megjithatë recetat me to mbeten gjithnjë në kufinjtë e tradicionales.

Mund të keni provuar recetën e groshëve, pllaqitë në tavë me domate, tek byreku apo në gjellë.

Por në recetën e sotëme do ju sugjerojmë një shije shumë të thjeshtë që kërkon shumë pak kohë edhe në përgatitje.

Fasulet në tavë mund të futen në grupin e recetave të shpejta apo ato që quhen ”snack” në një term më ndërkombëtar.

Ato mund t’i konsumoni bashkë me receta të tjera ose në mes të vakteve për të shuar urinë.

Përgatitja e fasuleve në tavë

Për të nisur me përgatitjen e kësaj recete AgroWeb.org ju këshillon të merrni 750 gr fasule pllaqi ose të bardha dhe t’i zieni.

Pasi të keni bërë këtë kullojini dhe vendosini në një enë në mënyrë që të thahen paksa në ajër të pastër.

Mund t’i thani edhe me ndonjë pecetë ose napë duke i mbështjellë me kujdes në mënyrë q ëtë mos prishen.

Pasi fasulet tuaja të jenë tharë plotësisht, shtrojini të gjitha fasulet në një tavë të shtruar me letër pjekje.

Futini në furrë në temperaturën 180 gradë dhe lërini të piqen derisa të marrin ngjyrë të artë dhe të bëhen krokante.

Edhe nëse çahen paksa ose ndryshojnë ngjyrë gjatë këtij procesi, mos u shqetësoni.

Pasi t’i nxirrni nga furra hidhini pak vaj ulliri sipër, kripë dhe piper për më shumë shije.

Sipas dëshirës mund të shtoni edhe pak hudhër të grirë apo pak rozmarinë e limon të freskët.

Fasulet tuaja të pjekura mund t’i shijoni si një pjatë shoqëruese bashkë me salca e receta të tjera.

Ato janë perfekte për t’u shtuar edhe në sallata apo krahas mishit të pjekur.

Gjithashtu mund t’i merrni edhe me vete për t’i shijuar gjatë një dite të gjatë jashtë shtëpisë./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.