OBSH: Keqinformimi se Omicron është ‘varianti i fundit i COVID-19’ po shkakton rritje të infektimeve në mbarë botën

460 0

“Pas rënies së infektimeve për disa javë radhazi, rastet e raportuara të COVID-19 po rriten sërish në rang global, veçanërisht në disa pjesë të Azisë”, tha në Gjenevë për gazetarët Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Gebreyesus.

Gjatë javës së kaluar, agjencia ka vënë re një rritje prej 8 për qind në zbulimin e rasteve të reja të COVID-19, me më shumë se 11 milionë teste që rezultuan pozitive.

“Rritja e rasteve të reja vjen në një kohë kur numri i testimeve është reduktuar në shumë vende, ҫka do të thotë se rastet që po shohim janë vetëm maja e ajsbergut”, shpjegoi Tedros, duke paralajmëruar se kur rriten infektimet, rriten edhe humbjet e jetëve.

Ai shtoi se pritet një rritje e vazhdueshme e infektimeve, veçanërisht në zonat ku janë hequr masat për parandalimin e transmetimit, por megjithatë ka nivele ‘tepër të larta’ të vdekshmërisë në shumë vende ku niveli i vaksinimit te pjesa vulnerabël e popullsisë vazhdon të mbetet i ulët.

“Çdo vend po përballet me një situatë të ndryshme dhe me sfida të ndryshme, por pandemia nuk ka mbaruar ende”, përsëriti ai.

Një kombinim faktorësh

Dr. Maria Van Kerkhove e OBSH-së shpjegoi se ka një kombinim faktorësh që po nxisin rritjen e rasteve në mbarë botën, duke filluar me transmetueshmërinë e lartë të variantit të ri.

“Omicron vazhdon të transmetohet shumë intensivisht në mbarë botën. Gjithashtu, kemi edhe nënvariantet e Omicron, BA.1 dhe BA.2. BA.2 është akoma më i transmetueshëm dhe, deri më tani, është varianti më i transmetueshëm i virusit SARS-COV2”, paralajmëroi ajo.

Drejtuesja Teknike për COVID-19 informoi se gjatë 30 ditëve të fundit, nga një kampion prej më shumë se 400,000 rastesh, 99.9% janë Omicron dhe 75% korrespondojnë me variantin BA.2.

“Nuk shohim ndonjë përkeqësim të simptomave te varianti BA.2. Megjithatë, me rritjen e numrit të rasteve, do të kemi edhe një rritje të shtrimeve në spital. Kështu ka ndodhur në të gjitha vendet”, theksoi Dr. Van Kerkhove.

Një faktor tjetër që po ndikon në rritjen e infektimeve është heqja e masave parandaluese të shëndetit publik dhe të atyre sociale.

“Heqja e përdorimit të maskave, heqja e distancimit fizik, heqja e kufizimeve që reduktojnë lëvizjet e njerëzve, të gjitha këto i japin mundësi virusit për t’u përhapur”, paralajmëroi Dr. Van Kerkhove.

Ekspertja theksoi gjithashtu se ka ‘një sasi të madhe keqinformimi’ që po shkakton shumë konfuzion te njerëzit.

“Keqinformimi se Omicron është i lehtë, keqinformimi se pandemia ka mbaruar, keqinformimi se ky është varianti i fundit me të cilin do të duhet të përballemi… të gjitha këto ndikojnë”, tha ajo./ UN News

Burimi: Revista Monitor