Petulla Shtëpie të Mbushura me Marmelatë

719 0

Tradita e hershme e gjysheve dhe nënave përsëritet brez pas brezi. Receta e petullave pavarësisht se pasurohet me përbërës të tjerë ajo mbetet përherë e gjithmonë më e preferuara.

Të shijshme, me sipërfaqen pakëz krokante dhe të buta nga brenda, nga fëmijëria e në çdo moshë ato tërheqin shijen e kujtdo.

Nëse ka një kërkesë drejt nënave apo gjysheve për të gatuar diçka të mirë e të shijshme, padyshim në krye të listës së gatimeve shqiptare janë petullat.

Vështirë t’u rezistosh! Të ngrohta, të mbushura plot me marmelatë. Të shoqëruara me djathë të bardhë apo kaçkavall, shija e tyre e plotë të përfshin tërësisht.

Fantastike për mëngjes dhe shoqëruese të këndshme për drekë, petullat mbeten një nga gatimet speciale jo vetëm për familjen  por edhe miqtë e të afërmit

AgroWeb.org sugjeron më poshtë një recetë të lehtë dhe të shpejtë për përgatitjen e petullave në shtëpi. Një mënyrë fantastike për t’i shijuar me familjen a me miqtë.

PËRBËRËSIT

1 gotë qumësht

2 lugë gjalpë të shkrirë

1 lugë majat ë freskët

4 lugë sheqer

rreth 500 gr miell

PËRGATITJA

Ngrohni qumështin dhe aty shkrini sheqerin dhe majanë e freskët derisa të formoni një masë kremoze.

Ndërkohë millin e keni situr dhe e keni hedhur në një tas bashkë me gjalpin e shkrirë.

AgroWeb.org ju këshillon që të shtoni ngadalë qumështin me sheqerin dhe majanë e shkrirë tek mielli duke u kujdesur që ta përzieni gjatë gjithë kohës.

Duhet të kini parasysh që nëse nuk e përzieni brumi do të krijojë kokrra me miell të patretur i cili do të ndikojë tek shija e petullave.

Ky brum ndryshe nga ai i petullave të zakonshme do të jetë pak më i butë se brumi i byrekut.

Pasi ta punoni edhe me duar në këtë mënyrë sipërfaqja e tij do të jetë e lëmuar, mbulojeni me një pecetë.

Lëreni brumin që të pushojë derisa të dyfishohet masa e tij.

Më pas hapeni në formën e një pete rreth 5mm të trashë dhe priteni me gotë për t’i dhënë formën e rrumbullakët.

Skuqini petullat me vaj të bollshëm dhe që të jetë nxehur dhe pasi të ftohen pak mbushini.

Për mbushjen mund të përdorni shiringën e kuzhinës ose duke e hapur në një cep petullën dhe ta mbushni me një lugë kafeje./AgroWeb.org