Mikroplastika Në Gjakun E Njeriut – Çfarë Tregojnë Studimet Rreth Pasojave Në Shëndet

711 0

Sasi të mëdha mbetjesh plastike derdhen në mjedis dhe mikroplastika tani ka kontaminuar të gjithë planetin në çdo skaj.

Shkencëtarët kanë zbuluar për herë të parë në gjakun e njeriut prani të grimcave të vogla të miroplastikës në pothuajse 80% të njerëzve të testuar.

Edhe pse ende nuk dihet ndikimi i tyre në shëndet, studiuesit janë të shqetësuar.

AgroWeb.org ju njeh më poshtë me rezultatet e këtij studimi dhe rrezikun që kjo gjë paraqet për shëndetin tonë.

Çfarë tregoi studimi?

Shkencëtarët analizuan mostrat e gjakut të pjesëmarrësve në studim dhe gjetën në shumicën prej tyre grimca plastike.

Gjysma e këtyre mostrave përmbanin plastikë PET, e cila përdoret zakonisht tek shishet.

Një e treta e pjesëmarrësve, përmbanin polistiren, një lloj plastike që përdoret për paketimin e ushqimeve dhe produkteve të tjera.

Ndërsa një e katërta e mostrave të gjakut përmbanin polietilen, nga i cili bëhen qeset plastike.

Shqetësimi i tyre bazohet në faktin se ata kanë parë si mikroplastika shkakton dëme në qelizat njerëzore të studiuara në laborator.

Shto këtu edhe faktin se ngjashëm edhe grimcat e ajrit të ndotur shkaktojnë sëmundje dhe miliona humbje jetësh në vit.

“Studimi ynë është treguesi i parë që kemi grimca polimer në gjakun tonë dhe është e arsyeshme të shqetësohemi.”, tha Prof Dick Vethaak, një ekotoksikolog në Universitetiv Vrije në Amsterdam, Holandë.

Ai tha gjithashtu se puna e mëparshme kishte treguar se mikroplastika ishte 10 herë më e lartë tek feçet e foshnjave krahasuar me të rriturit.

Dhe se foshnjat e ushqyera me shishe plastike, po gëlltisin miliona grimca mikroplastike në ditë.

Studiuesit u shprehën gjithashtu se sasia dhe lloji i plastikës ndryshonte në mënyrë të konsiderueshme midis mostrave të gjakut.

Ndryshimet mund të pasqyrojnë ekspozimin afatshkurtër përpara se të merreshin mostrat e gjakut. Të tilla si pirja nga një shishe apo gotë plastike etj.

Një studim i tjetër ku AgroWeb.org u bazua, zbuloi se mikroplastika mund të ngjitet në membranat e jashtme të qelizave të kuqe të gjakut. Kështu mund të kufizojnë aftësinë e qelizave për të transportuar oksigjen.

Po ashtu studime të tjera, kanë hedhur dyshime të mëtejshmë se mikro dhe nano-plastika ndikojnë në strukturat dhe proceset e trupit të njeriut.

Në këtë mënyrë ato mund të transformojnë qelizat dhe të nxisin zhvillimin e qelizave kancerogjene.

Ekspertët e shëndetit thonë se ky problem është diçka që kërkon një zgjidhje urgjente.

Krahas studimeve, e rëndësishme është që njerëzit të kenë sa më shumë infromacion. Në mënyrë që të bëjnë zgjedhje më të shëndetshme./AgroWeb.org