Efektet e Krizës në Industri – Sa Mbështetje Ka Ky Sektor

305 0

Kriza nga koronavirusi ka dhënë efekte tek industria fason, duke nisur nga mungesa e lëndës të parë deri në bllokimin e punës në fabrika.

Disa nga përfaqësuesit e industrisë, në këto kushte e shohin të pamundur edhe prodhimin e maskave, të cilat mund të ishin fitimprurëse, pasi sektori u gjet i papërgatitur për lëndën e parë specifike për prodhimin e tyre.

Vështirësia qëndron edhe te diversifikimi i ciklit të prodhimit, pasi një produkt i gatshëm i kërkuar në tregjet e Europës së Veriut kërkon kapital, njohuri, vizion dhe mbështetje nga politikëbërësit.

Përfaqësuesit e industrisë e shohin të vështirë ndryshimin e modelit, nëse nuk përmbushen këto kushte.

A do të mbijetojë industria fason në Shqipëri me modelin aktual, ku shumica e ndërmarrjeve kryejnë vetëm një cikël të caktuar të punës, apo ka ardhur koha që fasoni të punojë me ciklin e mbyllur të prodhimit dhe me guxim të shkëputet nga tregu italian, të synojë tregjet e Europës së Veriut?

Kjo pyetje është më aktuale se kurrë për Shqipërinë dhe ekonominë tonë, ndërkohë që pandemia e Covid-19 ka nxjerrë në pah dobësinë e madhe të këtij sektori në vendin tonë.

 

Sa është mbështetur sektori nga shteti

Industria e tekstileve dhe këpucëve në vend ka shënuar trend rritës në eksporte.

Sipas të dhënave të INSTAT, që nga viti 2009, eksporti në vlerë i tekstileve dhe këpucëve shënoi rritje, përveç vitit 2019 kur u godit nga rënia e euros.

Për tekstilet dhe artikujt e tjerë, vlera e eksportit në vitin 2019 ishte 61 miliardë lekë.

Tendencë rritëse në eksport në këto 10 vjet shënoi edhe sektori i këpucëve.

Në vitin 2019, në këtë sektor vlera e eksportit ishte 56 miliardë lekë.

Irena Beqiraj, ish-zëvendësministrja e Financave, thotë për “Monitor” se industria është mbështetur nga qeveria me disa masa lehtësuese.

Beqiraj thekson se këto nuk janë të mjaftueshme.

Ish-zv.ministrja e Financave rekomandon se vetëm partneriteti shtet-privat do të orientonte si duhet ndihmën për rritje të produktivitetit dhe eksporteve.

Efektet e Krizës tek Fasonët

Punën në grup e shoh me problematika për sa u përket kushteve të shëndetit pasi kohëzgjatja është e madhe dhe do të punohet 7-8 orë, por është e vështirë të disiplinohen edhe punonjësit.

Për sa i përket punonjësve duhet të shihet mundësia e nxjerrjes së tyre në asistencë, pra t’u paguhen shpenzimet bazike.

Kjo duhet të garantohet nga shteti, pasi kjo industri nuk ka likuiditet në bankë, për shkak të procesit të punës.

Italia është bllokuar dhe minimumi për 2 deri në 3 muaj është e ngrirë gjithçka, ky produkt është i ngrirë.

Aktualisht është periudha e dorëzimit të mallit, pasi muajt shkurt dhe mars janë afatet e mbylljes të sezonit pranverë-verë 2020 dhe tani nis të merren porositë për vjeshtë-dimër 2021, pra për 3 muaj ky produkt nuk do të hyjë në treg.

Pse duhet të rrezikojë biznesi dhe të prodhojë në këto kushte një produkt që nuk merr vlerë të shtuar.

Po ashtu, për sa i përket eksportit, në situatën në të cilën ndodhet, Italia e ka të pamundur që të paguajë, pra të prodhohet duke mos marrë paratë”./Burimi:Monitor