COVID-19: A Do Lehtësohej Kriza Nëse Maskat Do Të Prodhoheshin në Shqipëri

211 0

A do të përfitonte më shumë Shqipëria në këtë situatë kritike, nëse biznesi i fasonit do të mund të vihet në shërbim për përballimin e krizës dhe të prodhojë pajisje mjekësore si maskat për shembull?

Sado që duket një produkt i thjeshtë, sot është më i kërkuari në treg dhe jo vetëm.

Stafet mjekësore kudo në botë sot kërkojnë këtë produkt, duke mos folur për kompanitë farmaceutike që shesin në gjithë botën për njerëzit e zakonshëm këtë produkt.

Çfarë Thonë Përfaqësues të Kompanive Në Lidhje me Prodhimin e Maskave

Mimoza Vojka, përfaqësuese e kompanisë SAM, shprehet se po punon edhe për maska të personalizuara për tregun holandez dhe francez.

“Që nga fillimi i javës të kaluar vazhdojmë punën me kapacitet të plotë të punëtorëve, duke respektuar me rigorozitet masat mbrojtëse. Që në ditët e para të shfaqjeve të rasteve me koronavirus kemi nisur punën për prodhimin e maskave, ku fillimisht u prodhuan maska për punonjësit e fabrikës, më pas ka vijuar puna për klientët me jashtë, por edhe sipas kërkesave për tregun e brendshëm. Ky është një prodhim i ri.”

Maskat nuk janë profesionale mjekësore, por janë maska shumëpërdorimshme që shërbejnë për t’u mbrojtur në këtë situatë.

Deri tani janë porositur 20 mijë copë porosi për eksport me jashtë, për vendet si Holanda dhe Franca me dizenjo të personalizuara.

Çmimi i shitjes është shumë ekonomik, për tregun e brendshëm kushton 100 lekë/copa, ndërsa për jashtë 1 euro.

Sa i takon prodhimit të maskave z. Flamur Hoxha sqaron se kërkesa për prodhim të maskave, por për momentin nuk është mundësia.

Përveç teknologjisë te prodhimi i maskave problem është edhe pamundësia për t’u furnizuar me lëndë të parë, pasi do të kërkohet volum pune dhe nevojitet furnizimi me 2 deri 3 kontejnerë pëlhurë 100 për qind pambuk. Pra janë të nevojshëm disa aksesorë për prodhimin e maskave që e gjeti të papërgatitur këtë industri.

Sipas tij nëse do të ishin marrë masat gradualisht më parë, apo do të kishte një organizim gjithsecili nga ne do të kishte thirrur partnerët për t’i dërguar urgjentisht 1 mijë copa pëlhurë, si dhe aksesorët.

Lënda e parë vinte nga Kina, ku 90% e botës furnizohet nga ky vend.

Por edhe nëse kushtet do të ishin normale për shkak të distancës me Kinën është problem transporti i porosive.

Me avion, pavarsisht kostove të larta, transporti kërkon minimalisht 2 javë kohë, ndërsa me anije një kontejner vonon 2 muaj.

Flamur Hoxha shprehet se për prodhimin masiv të maskave nevojitej partneritet mes privatit dhe shtetit.

Ai rekomandon që kjo nismë mund të ishte organizuar nga qeveria.

“Në qoftë se shteti ka nevojë emergjente dhe i nevojiten 5 milionë apo 10 milionë maska dhe për këtë kërkohen 3 ndërmarrje për të prodhuar, i certifikon ato, që nga dhënia e mundësisë për të prodhuar deri te furnizimi me lëndë të parë”.

Kjo do të ishte gjeja më e mirë, sipas tij, sesa të futen shumë kontraktorë dhe të bënin diçka që nuk është konkrete.

Duke të kemi parasysh që kjo situatë do të shfrytëzohet nga Kina dhe Turqia, të cilët po punojnë në kushte normale dhe parashikoj që për 10 ditë do të prodhojnë për të gjithë botën.

Siç është rasti i Kinës, e cila e përfshiu prodhimin e maskave për vendin e vet që në momentin e përhapjes së virusit.

Pra këto vende janë konkurrentë të fuqishëm, po punojnë në kushte normale dhe nuk e kanë për gjë të pushtojnë botën me lëndë të parë dhe produkte.

Deri sa kompanitë në vend të bëjnë organizimin për nisjen e prodhimit të produktit, këto vende do të dalin me produkte për tregun europian dhe atë botëror.

Pritet që pas disa ditësh, oferta e maskave do të jetë e lartë, nga industritë të cilat e kanë ngritur më parë prodhimin e tyre”.

Burime nga Shoqata Pro Eksport pohojnë se ka një kërkesë të lartë për maska nga Gjermania, Italia e të tjera.

Vetëm një kompani nga Gjermania ka kërkuar 1.5 milionë maska.

Një tjetër kompani kërkon 30 milionë maska, ndërsa është ende në negociata me sipërmarrjet shqiptare.

Shumë kompani ndërkohë po konvertojnë veshjet në prodhime mjekësore, në atë që duket e ardhmja e fasonit, të paktën në afatin e shkurtër./Burimi:Monitor