Mjeshtëritë që u rritën në pandemi, rikthehen kostumet shekullore shqiptare

384 0

Disa mjeshtëri tradicionale u rritën në periudhën e pandemisë së koronavirusit në Shqipëri për shkak se mjeshtërit kishin më shumë kohë për të punuar prej mbylljes së detyruar. Në Gjirokastër një prej tyre është punimi i kostumeve shekullore shqiptare të cilat po rikthehen duke ruajtur vlerat më të mira të traditës. Studiuesit e shohin këtë rikthim jo vetëm për të dëshmuar identitetin shqiptar, por edhe për të ndihmuar sektorin turistik.

Në pazarin historik të Gjirokastrës, një qyteti që mbrohet nga UNESCO, mjeshtëritë tradicionale po rikthehen së bashku edhe me prurjen turistike. Pandemia e koronavirusit ka rritur disa prej aktiviteteve artizanale për shkak se mjeshtërit kishin më shumë kohë për të punuar nga mbyllja e detyruar në shtëpi. Lizeta Hatika dhe bashkëshorti Aureli punojnë në studion e tyre për të rikthyer kostumet shekullore të qytetit, por edhe krahinave më gjerë.

“Me kostumografinë kam kohë që merrem mbi 20 vite, por shtysa ka qenë pandemia. Qëndrimi mbyllur më dha kohë që ëndërrën që kisha në sirtar ta realizoja”,thotë Lizeta

Studiuesi Ilir Lluri thotë se “Pazari mbi 300 vjeçar i Gjirokastrës e ka element të vecantë punimin e kostumit kombëtar sepse fatkeqësisht sipas tij një pjesë e dyqaneve janë mbushur me element të zejtarisë të fabrikuar dhe jo të punuar nga duart e mjeshtrave. Mendoj që kjo të jetë dallëndyshja e parë që të tërheqë dhe zejtarë të tjerë për të sjellë prodhimet origjinale”.

Në nderim të punuesve të kostumeve mbi 100 vite më parë, ku tregëtorja në pazarin historik quhej “Arbërore” edhe Lizeta i vendosi studios së saj të kostumeve emërtimin “veshje arbërore”. Ajo thotë se ka arritur të plotësojë kostumet për të gjitha grupmoshat në Gjirokastër duke ruajtur motivet e vjetra.

“Plotësova të gjitha që duheshin për veshjet e Gjirokastrës duke nisur me etapa të ndryshme pasi në qytet nuk visheshin njëlloj të gjitha shtresat. Në atelienë time i kam sjellë të gjitha etapat që nga fëmijët, tek një vajzë e re, tek një meso grua dhe deri tek moshat më të vjetra. Po kështu edhe kostumet e djemve dhe burrave.”

Studiuesi Ilir Lluri thtoë se puna e mjeshtërve është një mision fisnik që duhet vlerësuar dhe mbështetur.

“Është një nga gjestet më fisnike që mund të bëjnë mjeshtrat e punimeve të kostumeve pasi prej vitesh pazarit i mungonte elementi i vet identitar kostumi kombëtar. Ne kemi fotografi të hershme që flasin si ka qenë pazari dikur dhe sa rëndësi i kushtohej veshjeve që dikur quheshin arbërore”.

Lizeta thotë se po ripërtërin traditën e kostumeve 100 dhe deri 200 vjeçare duke ruajtur me fanatizëm elementët e kostumeve.

“Në bazë të atyre që kam punuar kam kostume të 1900 -tës . Ky është një jelek dhe i nxorra me fanatizqm detajet e modelit. Kemi kostume edhe të 1820 -tës ku kam nxjerrë të gjitha detajet, ishte një kostum shumë i vjetër dhe madje i kishte mbaruar edhe copa.”

Ndërsa studieusi Ilir Lluri thotë se e vlerëson thellimin e mjeshtërve në punimin e kostumeve.

“Ajo që më tërheq vëmendjen është përpjekja për t`u futur në detaje në kostumin origjinal. Mjeshtrat, sidomos një pjesë e tyre janë, të interesuar për të studiuar elementë të rëndësishëm të kostumeve, të dhëna nga botimet Institutit të Studimeve të Folklorit.”

Kostumet shekullore shqiptare që po rikthehen po nxisin edhe tregun turistik. Lizeta thotë se turistët i pëlqejnë t`i veshin dhe bëjnë fotografi , por edhe t`i blejnë.

Ndërsa studiuesi Ilir Lluri thotë se në traditën shqiptare kostumet dhuroheshin si një vlerë e çmuar miqësie. Ai vlerëson se shumë fëmijë kanë nisur t`i veshin këto kostume dhe kjo tregon se vlerat e identitetit shqiptar po transmetohen më së miri.

“Shqiptari ka pasur një traditë shumë të ve çantë. Për miqtë e tij të rrallë dhurata më e shtrenjtë që mund të bënte ishte kostumi popullor apo elementë të tij. Ajo që më tërheq vëmendjen është edhe dashuia që kanë nisur të tregojnë fëmijet për kostumin kombëtar. Jo në pak raste fëmijët, veçanërisht ata të klasave të para, festën e abetares e shoëërojnë me kostumin kombëtar. Kostumi kombëtar ka filluar të jetë edhe në syrin e turistëve të huaj që pozojnë me kostumin kombëtar.”

Kostumografia e pasur e Gjirokastrës, këtij qyteti historik shkon së bashku me një vlerë të pranuar në kryeveprat e pasurisë botërore të UNESCO-s siç është iso-polifonia. Kostumet dhe polifoniabëjnë që qyteti i gurtë të admirohet edhe më shumë nga mijëra turistët që e vizitojnë çdo vit./Burimi:VOA