Nga 1 marsi do të rriten përsëri çmimet e bulmetit

614 0

Nga 1 marsi do të rriten sërish çmimet e produkteve të bulmetit.

Shtrenjtimi do të ndikohet nga shtimi i kostos për të çmimeve më të larta të naftës, energjisë, plastikës dhe heqjes të skemës të TVSH-së të kreditueshme 6% që nisi zbatimin nga 1 janari 2022.

Për shkak të rritjes së kostos nga këto faktorë, përfaqësuesi i kompanisë “Lufra”, Luis Ndreka tha për Monitor se tashmë kompania ka lajmëruar që nga 1 Marsi çmimet do të rriten 10%.

“Ne kemi bërë një lajmërim në fillim të muajit Shkurt që do të rrisim çmimet në fillimin e muajit Mars, sepse kemi kontrata të cilat duhet t’i respektojmë. Çmimet do të rriten me rreth 10%, sepse kostot janë rritur shumë. Çmimi për lëndën e parë është rritur mjaft, duke rritur koston e qumështit të prodhuar nga fermerët. Po ashtu janë rritur shumë kostot e lëndëve plastike në tregun botëror, çka është reflektuar në Shqipëri. Po ashtu çmimi i energjisë elektrike po ndikon direkt te kostot, pasi në industrinë tonë kërkohet përdorim i lartë i energjisë elektrike. Po ashtu edhe çmimi i naftës na ka ndikuar shumë”.

Aktualisht përpunuesit po përballen me mungesë në gjetjen e qumështit të prodhuar nga fermerët e vegjël. Oferta në treg për qumësht është më e ulët sesa kërkesa për produkte bulmeti, çka po sjell që përpunuesit të përballen çdo ditë me presionin e fermerëve për rritje të çmimit.

Sajmir Begaj përfaqësuesi i kompanisë “Erzeni” pohoi për Monitor se heqja e skemës të TVSH-së të kreditueshme pamundëson financiarisht përpunuesit për të grumbulluar qumësht me çmim më të shtrenjtë.

“Çmimi i qumështit nga fermerët për këtë vit është rritur rreth 10% më shumë se vjet. Pavarësisht rritjes të tij në presion të përditshëm nga fermerët për rritje të çmimit të qumështit, pasi edhe ata kanë shtim të kostove nga lëndët e para. Aktualisht po furnizohemi nga fermerët me qumësht 50 cent për litër, kur në Itali çmimi i qumështit nga fermat shitet me çmim 30 deri 40 cent për litër. Faji nuk është te përpunuesit e qumështit. Shteti pasi hoqi TVSH-në e kreditueshme 6% duhet të jepte subvencione direkte për fermerët. Kjo është një kërkese e vazhdueshme e industrisë. Ne kemi kërkuar pagesa direkte për fermerin 10 lekë/litër. Nëse nuk është mundësia për zbatimin e subvencionit për litra qumësht të prodhuar, fermerit pavarësisht numrit të bagëtive, 6% të TVSH-së të rimbursueshme që u hoq nga 1 janari 2022”.

Sipas z. Begaj prodhimi i qumështit ka krijuar rënie te fermerët e vegjël. “Shumë fermerë të vegjël që rrisin 1 apo 2 lopë po largohen në emigracion. Fermat e mëdha janë rritur, por numri i tyre është shumë më i vogël krahasuar me fermerët e vegjël, çka nuk arrin të ekuilibrojë sasinë e qumështit të prodhuar në treg. Çmimi i qumështit për këtë vit është rritur rreth 10% më shumë se vjet”.

Për shkak të rritjes të çmimit të plastikës dhe inputeve të lëndëve bujqësore kompania “Erzeni” vjet nga 1 Korriku rriti 5% çmimet e produkteve të bulmetit. Më pas nga ndryshimet e çmimit të energjisë nga 9 lekë/kW në 33 lekë/kW e furnizuar në tregun e lirë dhe shtrenjtimit të çmimit të karburantit nga 1 janari 2022 u aplikuan sërish në treg rritje 5% të çmimeve.

Përpunuesit e qumështit pohojnë se rritja e mëtejshme e çmimeve do të penalizonte industrinë vendase, pasi në treg do të shiteshin më tepër produkte importi me çmim më të lirë. Për të kompensuar rritjen e lartë të kostove të riprodhimit kompanitë kërkojnë rishikimin e skemës të TVSH-së të kreditueshme./Burimi:Monitor